2. Në momentet e vdekjes së Sufjan El-theurit, ai filloi të dridhej dhe shfaqte shenja frike. Muhamed ibnu Seleme e kapi për dore dhe i tha:"Bëhu i fortë, pasi je nisur drejt Atij të cilin e ke adhuruar gjithë këto vite!" Sufjani i tha:"Unë nuk u frikësohem gjynaheve të mia, por i frikësohem një fundi dhe vdekjeje të zezë. Unë kam frikë se mos vdes si jomusliman në ato çaste kur të vijë meleku të më marrë shpirtin." Sufjani ndërroi jetë, duke i lexuar suren Jasin. Të kesh frikë nga një vdekje ogurzezë, të bën të ngresh duart drejt Allahut fuqiplotë dhe t'i thuash:"O Allah! Unë i frikësohem një vdekjeje të zezë, prandaj më jep forcë dhe më udhëzo në rrugën e mbarë, ma lehtëso adhurimin Tënd dhe mos më braktis në duart e armiqve të mi, për shak të gjynaheve që kam vepruar."
3. Me këtë rast, ne duhet të lutemi sa më shpesh me fjalët:"O i Gjallë dhe i Përjetshëm! Unë kërkoj të më ndihmosh me mëshirën Tënde të pakufi! Më jep mbarësi dhe mos më lër për asnjë çast në forcat e mia!" Me qëllim që Zoti të mos na braktisë, ne duhet të ndjekim rrugën e drejtë, rrugë e cila udhëhiqet nga i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s, i pasuar nga shokët e tij dhe të gjithë njerëzit e ndershëm. Ti o vëlla dhe o motër, duhet të ndiqni këtë rrugë dhe kurrë të mos ia ktheni shpinën. Në atë çast që do i ktheni shpinën, do t'ju kthejë shpinën edhe Allahu. E si mund të jetosh në këtë botë, ndërkohë që Zoti të ka braktisur dhe të ka kthyer shpinën! Një ndër çastet më të vështira që kalon njeriu në këtë botë, janë ato çaste kur ai do të dorëzojë shpirtin e tij të shtrenjtë në duart e melekëve të vdekjes. Sa i dobët je o njeri në këto çaste dhe sa e madhe është nevoja jote për ndihmën e Allahut të madhëruar!
4. I dërguar i Zotit a.s na ka mësuar dhe udhëzuar drejt shkaqeve që çojnë në një vdekje të zezë dhe të padëshiuar për këdo. Këtë, Profeti a.s e ka bërë me qëllim që besimtari t'i shmangë dhe të garantojë një vdekje të mbarë dhe ogurbardhë. Gjithçka që veprojmë në këtë botë, rezultatet do të shihen në botën tjetër, pozitive qofshin ose negative. Ne duhet të lutemi sa më shumë që Zoti të na bëjë rizk një vdekje të hijshme dhe ogurbardhë. Lutjet duhet të shoqërohen me vepra dhe veprat me nijet të pastër për të fituar kënaqësinë e Zotit dhe xhenetin.
5. Një nga shkaqet më kryesore për një vdekje të zezë, është se shejtani përpiqet me çdo kusht që guximin tonë për të vepruar vepra të liga t'a shtojë çdo ditë e më shumë. Një ndër shkaqet e një vdekjeje ogurzezë ëshë që ti o vëlla dhe o motër të vazhdosh me gjynahe, pa u penduar. Guximi për të vepruar punë të liga dhe dëshira për të vazhduar pa u penduar, e largojnë njeriun nga mëshira e Allahut të madhëruar. Dallimi mes atij që vepron gjynahe dhe pendohet dhe dikujt tjetër që vepron gjynahe dhe nuk pendohet është shumë i madh.
6. A nuk takojmë çdo ditë vajza që të pohojnë se nuk duan të mbulohen, djem që thonë se nuk duan të falen, që nuk duan t'i shkëpusin lidhjet haram...? Dije o vëlla dhe o motër se nëse e lini nefsin të lirë të veprojë çdo gjë të lejuar dhe të ndaluar, ajo do të të tradhëtojë në çastet më delikate dhe të vështira. Ajo do të të tradhëtojë në çastet e ndarjes nga kjo botë dhe afrimit me botën tjetër. Një person që nuk e din çfarë është fjala "La ilahe il-lallah" gjatë jetës, e ka të pamundur t'a shqiptojë në çastet e vdekjes. Ndërkohë që ai person që fjala "La ilahe il-lallah" i qarkullonte në damarët dhe çdo qelizë të trupit, ai kurrë nuk mund t'a harrojë, edhe në çastet e vdekjes.
7. Shkaku i dytë për një vdekje ogurzezë, është edhe vonimi i pendimit. Njerëz të tillë i dëgjon të thonë:"Do e lë këtë gjynah, do e lë këtë ves të keq, do të pendohem..." megjithatë vazhdojnë të mbytur në gjynahe pa u penduar. Ato e vonojnë pendimin, pasi besojnë se duke u penduar do e privojnë veten nga këto kënaqësi. Përderisa ti je i bindur se ajo që po vepron është haram dhe se duhet të pendohesh, përse duhet t'a vonosh pendimin? Pendohu tani para se të befasohesh nga vdekja dhe ai çast kur nuk të bën dobi pendimi. Thotë Zoti i madhëruar në Kuran :" O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë !" (Enfal 24)
8. Nëse vazhdon me gjynahe duke e vonuar pendimin, mund të ndodhë që edhe nëse dëshiron të pendohesh, nuk mundesh dot. Një zemër që nxihet nga gjynahet e shumta, e ka shumë të vështirë të pastrohet dhe të pendohet. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:" Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm ." (Nisa 17-18)
9. Ne nuk e kemi jetën në dorë dhe nuk e dimë kur do të vdesim. Prandaj është mirë të shpejtojmë dhe të pendohemi sa më parë. Nëse dikush prej nesh frikësohet nga një përfundim i keq, ai do të pendohej sa më shpejt. Thotë Zoti në Kuran:" Thuaj: “ O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë, që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!”Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”. (Zumer 53-57)
10. Shkaku i tretë i një vdekjeje ogurzezë është devijimi nga rruga e drejtë. Kjo do të thotë që një pjesë e jetës tënde t'i dedikohet Zotit, kurse pjesa tjetër shejtanit. Handhale, ishte një nga shokët dhe miqtë e Profetit a.s. Një ditë, ai po dëgjonte Profetin a.s të flasë rreth xhenetit dhe zjarrit dhe po i përjetonte me gjithë zemër ato çaste. Atij i dukej sikur i sheh me sy banorët e xhenetit duke u kënaqur dhe banorët e zjarrit duke vuajtur. Por me të vajtur në shtëpi, filloi të qeshë, argëtohet dhe të angazhohet me punët e përditshme. I prekur nga ky fakt, ai vajti dhe i tha Profetit a.s:"O i dërguar i Allahut! Kur jemi me ty, sikur e shohim me sytë tanë xhenetin dhe zjarrin. Por me t'u kthyer në shtëpi, angazhohemi me punët e përditshme."
11. Profeti a.s i tha :"Nëse do të përjetonit larg meje, po ato ndjesi që përjetoni kur jeni me mua, do u përshëndesnin melekët dhe do u jepnin edhe dorën në rrugë. Prandaj, herë kështu e herë ashtu o Handhale." D.m.th, herë përjetoni sikur jeni në xhenet dhe keni besim të fortë, herë të tjera kënaquni me familjet, fëmijët tuaj dhe kënaqësitë hallall të kësaj bote. Shumë njerëz e interpretojnë gabim këtë hadith, pasi thonë se qëllimi i Profetit a.s me fjalët: Prandaj, herë kështu herë ashtu." Është që herë veproni punë të mira herë gjynahe.
12. Shkaku i katërt për një vdekje të zezë janë shokët e këqinj. Një mik i mirë të tërheq drejt veprave të mira, ndërkohë që një mik i lig, të tërheq drejt veprave të liga. Tani unë dua t'i bësh vetes një pyetje:"A dua të vdes mes këtyre shokëve që kam tani?" A mendon se shokët me të cilët shoqërohesh janë shokë të mirë, shokë që të ftojnë për vepra të mira, namaz, adhurim etj... apo janë shokë që të ftojnë drejt veprave të liga? Njeriu ndjek fenë dhe rrugën e shokëve të tij, prandaj i zgjidhni shokët. Në fund, dëshiroj t'ju përcjell një këshillë timen. Shkruaj në ekranin e celularit dhe të kompjuterit tënd:"Allahu është Mbikëqyrësi im, Ai më vështron dhe është dëshmitar për gjithçka që veproj."
13. Këto fjalë të këshilloj t'i hedhësh dhe në një letër, të cilën vendose në murin e dhomës tënde dhe në makinë, me qëllim që kudo që të shkosh t'a shohësh. Duke i lexuar kudo që të ndodhesh, do të të lindë ndjesia e mbikqyrjes së Zotit kudo që të jesh. Kjo ndjesi, të bën të ruhesh nga gjynahet dhe të nxit për pendim. E lusim Zotin që të na bëjë të fortë në çastet e vdekjes dhe të na bëjë rizk një vdekje të mbarë dhe ogurbardhë. Paqja e Zotit qoftë mbi ju!