1. D. B.
Edukimi i kombeve
Kosova, Bosnja, Iraku, Afganistani ... Gjithnjë e më shumë ka shtete të cilat janë ose
protektorate të vërteta ose të ngjashme me to. Debati bashkëkohor lidhur me atë nëse stili i
demokracive perëndimore mund të shartohet në shoqërinë me traditë të gjatë autoritare, në shoqëri të
cilat nga cilado arsye konsiderohen problematike, ushtarakisht të mundura apo thjesht - të
papranueshme. Misioni i Mekarturit në Japoni dhe administrimi ushtarak i Ajzenhauerit mbi
Gjermaninë, pas Luftës së Dytë Botërore merren si argument i rëndësishëm në debatin nëse
promovimi perëndimor i të drejtave të njeriut dhe të institucioneve liberale janë vetëm formë e
imperializmit tashmë të ditur. Nëse është ashtu, a është kjo në të njëtën kohë edhe gjë e keqe?
Ekzistojnë shkolla të tëra që pohojnë se nuk është i domosdoshëm imponimi perëndimor i vlerave,
veçanërisht në shoqëritë të cilat do të mund të rregullonin në mënyrën më të mirë institucionet e tyre.
Në anën tjetër, janë të shumtë ata që mendojnë se demokracia liberale me sukses mund të zhvillohet
vetëm nëse ekzistojnë parakushte të caktuara, specifike. Ato përfshijnë "shoqërinë civile", -
përkatësisht shoqërinë stabile të asociacioneve të lira, të pavarura civile, të mbështetura nga klasa e
gjerë dhe prosperuese me dije të sofistikuar të të drejtave dhe detyrave individuale. Pa kushte të tilla
çdo përpjekje e ndërtimit të institucioneve demokratike do të përfundojë në kaos dhe despotizëm.
Revolucioni me letër
Autoritetet okupuese në Gjermani u ndodhën para pyetjes: ç'të bëjnë e popullsinë e cila në
shumicën dërrmuese identifikohej me ideologjinë dhe partinë naziste. Masat represive nuk mund të
ishin përgjegje e drejtë, andaj ekspertët për çështje psikologjike-propagandistike përdorën operacionin
më të madh të të vështrimit të "pikëpamjes mbi botën" e cila njihet deri më tash. Bëhej fjalë për
"revolucionin me letër", përkatësisht me pyetësorët të cilët kishin 131 pyetje. Folker Dotervajh thotë se
bëhej fjalë për "inkuizicionin politik" më të madh të të gjitha kohëve. Detyrën që të plotësojnë
pyetësorin e kanë pasur 13 milionë njerëz. Prej tyre 6O.OOO ishin të dënuar, numri më i madh
(5OO.OOO) me gjoba, ndërkaq nga ata që ishin akuzuar rëndë politikisht apo në baza kriminale kishte
vetëm 1549. Pyetësori fillonte me pyetjet personale, ndërkaq pyetja e fundit ishte "njohja e gjuhëve të
huaja dhe shkalla e arsimimit" dhe plotësimi i tij ishte kusht për cilindo punë dhe hyrja në shërbim në
çfarëdo rangu. Pyetjet e tjera kishin të bënin me banalitetet e numërta (lartësia, pesha, ngjyra e syve,
përkëtasia religjioze) deri te pyetjet e tilla në të cilat njeriu mund të gënjente pa probleme - bie fjala,
për kënd ka votuar në vitin 1933. Këta pyetësorë i analizonin ekipe të tëra të zbulimit dhe të
ekspertëve, por ishte e paqartë se cilit qëllim i shërbente ky operacion burokratik i pashembullt në
botë. Masat të cilat janë zbatuar në Amerikë dhe në Japoni me modifikime të vogla zbatohen edhe sot
në protektoratat moderne. Diku kjo është më tepër "formësim kulturor", e iku më pak. Amerikanët
kanë llogaritur në "riedukimin" (umerziehung) e jermanëve. Ata dëshironin që nga themeli të
ndryshojnë karakterin e secilit veç e veç dhe tablon e tërë kombit. Krijuan ekipe këshilltarësh që
merreshin me doktrinën e re pedagogjike. Në to ishin psikologët, antropologët, psikoanalistët njohur
amerikanë bashkë me emigrantët gjermanë çfarë ishin Erih From dhe Kurt Levin. Me punën
psikologjike- propagandistike dhe me riedukim merreshin departamentet e OSS-së, pararendëse e
CIA-s, që angazhoi shumë shkencëtarë. Në një grup ishin politikologët Frans Nojman, juristi Oto
Kirhajmer dhe filozofi Herbet Markuze. Ata me kërkesën e OSS-së bënë analizën se si Gjermania, pas
disfatës naziste, sërish të bëhet vend demokratik. Detyrë e OSS-së ishte që të gjendet mënyra "që
shoqëria gjermane, ekonomia, partitë dhe shteti të strukturohen në atë mënyrë që plotësisht të
përjashtohet kthimi i mundshëm në barbari dhe të sigurohet përparimi shoqëror në të cilin do të
forcohej vetëdija e popullsisë kundër tendencave autortitare".
2. Pedagogjia e Potsdamit
Propozimet e këtyre grupeve ishin bazë e "idealizmit pedagogjik" që aleatët e përkrahën në
Konferencën e Potsdamit nga 17 korriku deri më 2 gusht 1945. Falë këtij koncepti, Presidenti
amerikan Ruzvelt nuk pranoi propozimin drakonik të ministrit të tij të financave Hans Morgentau, i
cili kërkonte ndalimin e çdo industrializimi të Gjermanisë dhe mbajtjen e saj në stadin e shoqërisë
bujqësore. Aleatët përkrahën politikën e pesë "D": enacifikimi, demilitarizimi, decentralizimi,
demokratizimi dhe dekartelizimi. Uashingtoni u përball me detyrën e "riedukimit" të njëkohshëm të dy
të mundurve, por në shumëçka të ndryshëm, madje edhe në anët e kundërta të botës të shoqërive të
situara - asaj gjermane dhe japoneze. Për komandantë ushtarakë u zgjodhën dy gjeneralët më të
famshëm atëherë, Duajt Ajnzenhauer për Gjermaninë dhe Dagllas Mekartur për Japoninë. Ajzenhaueri
do të bëhet president i SHBA-ve, "njeriu i parë i cili është lutur të vijë në atë post", ndërkaq Mekartur,
megjithëse i ishin thurë lavdi, do ta përfundojë karrierën e vet pas propozimit për hedhjen e bombës
atomike në Kore."Nëse ne anglosaksonët në moshën tonë ishim dyzet e pesëvjeçarë, në shkencën,
kulturën, artin dhe trashëgiminë e tyre, gjermanët ishin diku rreth maturës, sidoqoftë japonezët,
përkundër faktit për famën e tyre të vjetër kohore, ishin në pozicionin e nxënësit. E matur me
standardet e civilizimit modern, ata ishin çunakë 12 vjeçarë në krahasim me zhvillimin tonë të moshës
45 vjeçare", bënte rezyme Mekartur.
Edhe pse duket se kjo është edhe një pjesë e paragjykimit të zakonshëm racist të
perëndimorëve dhe krishterëve, qëllimi Mekarturit ishte që të theksojë diçka tjetër. Në të vërtetë ai
donte të thoshte se japonezëve duhet besuar më shumë se gjermanëve. Gjermanët krimet i kanë bërë si
të rritur, duke e ditur se e dallojnë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, por ata e kanë
injoruar këtë dallim.
Okupimi amerikan i Gjermanisë filloi me proceset gjyqësore. Procesi i parë për krime të luftës
është udhëhequr kundër komandantit të kampit Beregen Belzen, Jozef Kramerit dhe 47
bashkëpjesëmarrësve të tij. Kramer dhe dhjetë të tjerë janë dënuar me vdekje në zonën okupuese
britanike. Amerikanët një proces të tillë e kanë zhvilluar në Dahua më 15 nëntor 1945. Gjykatat
ushtarake kanë zhvilluar 1941 procese dhe kanë shqiptuar 1517 aktgjykime. Prej tyre dënime me
vdekje janë shqiptuar 324, ndërkaq të tjerat silleshin nga burgimi i përjetshëm deri te dënimet e tjera
kohore.
Listat shumëngjyrëshe
Në tetor të vitit 1945 shefat e zubulimit amerikan publikuan listën prej 144O gjermanëve të
cilët mund të vepronin në çdo fushë të kulturës në Gjermani. Listat e "zeza", "gri" dhe të "bardha"
ishin bazë për të fituar apo humbur punën në film, në teatër dhe në shtyp. Në listën e "zezë" ishin një
numër i njohur artistësh, në mesin e tyre edhe shkrimtarët Ernest Jinger dhe Fridrih Ziburg, ylli i filmit
Emil Janings e të tjerë. Para luftës, ideologjia naziste zhvilloi një aparat të madh të propagandës
antimerikane në kulturë. Alfred Rozemberg akuzoi "domiminim e elementit femëror në shoqërinë
amerikane" për prapambetjen kulturore të amerikanëve. Njëkohësisht ndikimi i zezakëve në lojë dhe
muzikë konsiderohej arsye e mjaftueshme që xhezi në Gjermani të ndalohet. Pikërisht kjo ishte arsyeja
që autoritetet okupuese të insistojnë për përkrahjen dhe përhapjen e xhezit. Ishte kjo një dëshmi tonike
e lirimit nga ideologjia naziste. Me veprimtari botuese merrej Sektori për botim dhe punë psikologjike
(PwD). Shefi i Sektorit, gjenerali Mekluri ishte i vendosur: "Gjermanët nuk guxojnë të ndërtojnë
mendimin vetjak - atyre ajo duhet t'u komunikohet". Megjithatë është përkrahur një pikëpamje më e
butë sipas të cilës ëshët mundësuar lëshimi i licencave për posedim dhe botim të gazetave dhe
revistave. Në zonat perëndimore së pari amerikanët lejuan "gazeta me licencë" në kushte të rrepta. Ato
duhet t'i botonin të paktën tre persona të bindjeve të ndryshme politike dhe të pikëpamjeve ndaj botës.
(i ashtuquajturi "modeli panel") të cilët duhej të merrnin përsipër përgjegjësinë e përbashkët.
3. Rëndësia e prostitucionit
"Njerëzit kishin dëshirë për teatër, megjithë urinë dhe shkatërrimet. Synohej kjo me gjakim dhe
idealizëm që sot më nuk është e mundur të paraqitet", shkruante kritiku teatror i valës së re Fridrih
Luft. Aleatët kujdeseshin për furnizimin urgjent të teatrove me tekste moderne nga rajoni i tyre
gjuhësoer. Amerikanët siguruan përkthimin për 5O drama, nga të cilat 45 vërtet u luajtën. Lista e
dramave të përkthyera franceze arriti shifrën në 98, kurse britanikët kontribuan me 15 përkthime.
Meqenëse marka gjermane praktikisht ishte e pavlerë, autoritetet ushtarake morën rolin e agjencive për
ndërmjetësim. Ato teatrin e konsideronin para së gjithash instrument të propagandës kulturore dhe të
riedukimit, kurse veç kësaj nuk dëshironin që të lënë përshtypjen se ato janë kundër artit. Në mesin e
tyre shpejt u zhvillua një lloj gare në sigurimin e "bukës dhe lojërave".
Kur më 3O gusht 1945 Mekarturi ia doli të bëhet "sundimtar i ri" i Japonisë, ekonomia ishte e
shkatërruar nga lufta, kurse ajo që kishte mbetur shkoi në duart e oficerëve të ish-armatës imperiale
dhe të burokratëve të lidhur mirë mes veti të cilët u pasuruan duke furnizuar bursën e zezë. Njerëzit në
qytet e ndërropnin pasurinë e tyre me një grusht oriz dhe patate. Me mijëra fëmijë të braktisur jetonin
në stacionet e bombarduara hekurudhore, duke lypur ushqim, kurse pilotët dhe kamikazët që nuk patën
sukses në misionet e tyre u bënë përdhunues në shumë kuarte . Grumbuj ushtarësh të humbur tentonin
të gjenin ndonjë kuptim të jetës, shpesh pa dorë ose pa këmbë. Ishte ky fillim i viteve të vështira të
pasluftës, por dinamike.
Figurat më simbolike të viteve të hershme të okupimit u bënë vajzat "panpan", protistute që u
shërbenin ushtarëve aleatë. Është fare paradoksale që prostitucioni ishte një nga mënyrat e ndërtimit të
institucioneve demokratike dhe të shoqërisë civile, por ai në fillim ishte mënyra e vetme për
kapërcimin e dallimeve të thella kulturore ndërmjet dy kulturave, dy fuqive politike që qëndronin në
anët e kundërta gjatë luftës, të cilat njëra tjetyrës i shkaktuan humbje dhe viktima të mëdha dhe nga të
cilat njëra në fund ishte e okupuar, kurse tjetra okupatore. Me grimin e tyre vezullues, këpucët me take
të larta dhe me flokë të lidhura me fjongë blu, vajzat "panpan" ishin pioniere të materializmit dhe dhe
konsumit në erën e pasluftës. Thënë figurativisht, por thënë edhe realisht, ato vajza të reja ishin më
afër amerikanëve se kushdo tjetër. Kjo afërsi gjithashtu ishte simbol i disfatës japoneze, të "besimit'
amerikan, të raporteve groteske jo të barabarta midis pushtuesve që hidhnin çamçakëzët nga xhepat e
tyre "seksi" dhe të humbësve të nënshtruar.
Në fillim të sundimit të tij Dagllas Mekartur vendosi të injorojë shumicën e paralajmërimeve
që sugjeronin "kujdes dhe lëvizje graduale me të vjetrën në të renë". Ai u kthye nga liberalët, majtistët,
"nju dilistët" pa ndonjë njohuri të veçantë kulturore me qëllim që të zbatojë planin e tij radikal për
demokracinë pacifiste. Vetëm disa muaj pas ardhjes, të gjithë të burgosurit politikë, kryesisht
komunistët, u liruan, grave iu premtua barazi ligjore dhe e drejta e votës, monopolet industriale u
shembën kurse sindikatat u inkurajuan, librat shkollorë u përpunuan duke hequr pjesët që përmbanin
ide feudaliste ose militariste. Këto masa u shoqëruan me ndryshimet e kushtetutës në të cilën u
kodifikua sovraniteti i popullit dhe ndalimi i liftës.
Duke folur në mënyrë psikologjike, Lufta e Dytë Botërore në Gjermani si dhe në Japoni mori
fund gjysmë shekulli pas fundit të saj ushtarak. Gjendja psikologjike e kombit është ndryshe nga ajo
që ekzistonte pas luftës. Përgjegja e parë ishte faji dhe turpi. Suksesi ekonomik la gjurmë në
sensibilitetin kombëtar, aq më parë ngase tani në skenën politike vijnë brezat që ndjejnë përgjegjësi
më të vogël për atë që ndodhi në luftë. Ata më shumë ndjehen krenarë për arritjet ekonomike të brezit
të vet. Gjermania vitin e kaluar i tha "jo" Amerikës në Irak. Riedukimi sikur ka shterruar forcat e veta
dhe rrethi sërish u mbyll, me kthimin e sovranitetit dhe të lirisë së vendimmarrjes, kombeve dikur të
okupuara. (D.B.)