SlideShare une entreprise Scribd logo
1  sur  30
Télécharger pour lire hors ligne
NE   XHEP KAM NJE BOTE




Cikli i parë:

Atje ku heshtjet kishin frikë të hynin
abortova përnatë ëndrrat që s’duhej të lindnin



1. TË MOS KISHTE NATË

Të mos binim në gjumë
të mos kishte shtrat ku të flije ti
dhe mendimet të më vinin të kthjellëta
pa tymnajë xhelozie
pa vetmi të prerë

Nata lëshohet me peshë
tutem mos kulmi më zë përfundi
jashtë ka vetëm huta
të marrët dëgjojnë edhe zëtha nate
kodra e gjelbër në bark të territ fle
apo mori udhë dikah s’e di.
Kuptimi për ngjyrat
bisedat e zogjve
detet e botës
dhe unë
kemi pjesëtuesin më të vogël të përbashkët:
Natën
kur krijesat e brishta s’rrojnë

Dhe ti që të dua kaq shumë
fle diku larg

Natën e di ti lë gjithçka
edhe qenien time edhe këngën që dhemb
Të mos kishte natë
të mos binim në gjumë
unë do të harroja se s’më përket mua
do të harroja dhe pikë.

Sikur të mos kishte natë…



2. NDEZULLI

Dua të jem Ofeli në Vjosë
të vish ti pastaj
në shtratin tim të ujtë
në nënkresën me lule
të jetë pranverë
vetëm pranverë
unë dhe lulet të këputura notojmë
të vish ti pastaj
të dashurohesh në pranverë
në erën e luleve të këputura
në puthjen time të lagur valë-valë
dua të jem Ofeli në Vjosë
ti s’mund të më zgjosh
Borëbardha u harrua
në përrallën e gjyshes Hidushe

më pëlqen të jem Ofeli në Vjosë
jo për rrokjen e njëjtë të emrave tanë
veç për shelgun lotues
që luledelet si foshnjë t’i mbaj në gji
për vjollcat që mbinë në lumë brenda

Ofeli do të jem në Vjosë
përrojet s’i dua
do fle pastaj me lulet pa u zhytur
jam e lehtë
bosh përbrenda
të mos bëjë vapë
hije dua me shelg trishtues

Ti të vish pastaj
kur të jem Ofeli unë në Vjosë
e tëra luledele kur të jem.



3. CIKËRRIMË

Kur ti fle
qyteti është i vetmuar
parqet memece më shikojnë çuditshëm

ti zgjohesh
jeta rikthehet
gëzimi se ku më gjen mua

rrugët i kënaqen ardhjes sate
bota ikën bashkë me ty
ndenjësen e bardhë e lag shiu
dielli nuk lind
të pret

unë e di ti prapë s’do të vish
s’është gjë e madhe kjo
mund të flesh akoma
qyteti po mësohet me vetminë

unë tretem
cikërrimat janë kriminele.



4. ***

Ti mos eja,
kalendaret s’e çajnë kokën
ecin tutje
një zë i harruar sopraneje
s’rresht

Ti mos eja
Ngjyrat tërhiqi nga jeta ime
le ta humbim rrugën
drejt kuptimit rozë
zëri sopranë mbytet
mes ngulçimash

Ndjej neveri.
Një këngë dashurie jep shpirt.
Të qaj?
Jo. Lotët s’frymojnë
në morte kaq të mëdha.



5. S’BËJ NDONJË GJË

Dera pret një gisht që troket
Vazon e kishin parë tek mblidhte lule
dhe qeshte
Tavolina bleu e gatiti gjithçka që të pëlqen
(Ua! E paska djegur ca mishin!)
Karriget dhe rruga s'u miqësuan dot
Qiriri u ndez dhe lutet të vish
Seç iu tek Pirros të këndojë për ty!

Vetëm unë flej. S'të pres.


06. GJITHÇKA E TRAZUAR


Thellë brenda nesh gjithçka e trazuar
mort kemi
telefoni ka vdekur
ashtit tim fuqishëm mesnata i bie
poezia vajton
në të zeza e veshur

i arratisur që moti gjumi bredh në shi
në gjithësinë timetë vetmuara dy yje lotojnë
takimet e sëmura në një skaj dergjen
mjekë jemi vetë s’e dimë diagnozën
(mbase dhe s’duam t’i shpëtojmë) !?

arsyeja kufij të pathyeshëm vendos
përtej s’depërtojnë as shpresat
gjithçka ka ndryshuar
njëlloj s’është asgjë
e premtja ka boshsi
pëlcet e mërkura…
e shtuna… as që dua ta kujtoj

thellë brenda nesh gjithçka e trazuar
perëndojnë ditët e bukura
mort kemi
gjithçka po vdes që është jona
këtë natë qiriri s’po ndez…

heshtje ndjenjash
të ndrojtura
(ç’rrëmujë, ç’trazirë në ne)
Brenda
thellë…
7. TË BËHEMI PËRRALLË

Eja më merr nuse,
në krahun e pestë të yllit
bëjmë shtëpinë
yjtë do hedhin vallen
me koreografi lasgushiane
dhe s’do qaj më kurrë

Eja më merr,
nuk i kam zënë besë përrallat
vetëm fundet ia lakmova
haj bëhemi përrallë me fund
haj i gjejmë të qarës një fund

Eja më merr nuse,
në krah ylli
dasëm të bëjmë
teksa yjet kërcejnë
teksa qiejt përgjojnë.




8. ISHA E VOGËL

Isha e vogël atëherë
kjo më dukej poetike dikur
e përsërisja shpesh
tani e di
isha e mitur vërtet
edhe flokët i kisha të shkurtëra
sa po ndërtoja një rrugë jete
që sillte vetëm te ti
rrugën që nënvetëdija ime e mësoi
përmendësh
para se të ecja unë në të

e vogël isha atëherë
një skicë e thjeshtë
po kisha dëshira të mëdha

netëve të shihja ëndërr
mëngjeseve mblidhja lule
fëmijëria ime s’të zinte
se këmbët i kisha të vogla

qiellin e vizatoja të kaltër
pa re
t’i puthja vetëm sytë
isha e vogël
mblidhja lule
po kisha dëshira të mëdha.


9. TI JE KËTU
Ti je këtu
Po ai ka kohë që ka ikur
Bashkë me borërat që s’bien më
Ti ke edhe duar edhe përkëdhelje
Ti ke edhe buzë edhe puthje
Po ai ka kohë që ka ikur tok me drithërimat e mia
S’rënkoj më
Ti je këtu bashkë me natën që e dua
Ai ka kohë që ka ikur
Me vete ka hijet dhe shtratin
Tash s’gjetkemi një vend për t’u shtrire ne dy

Ti je këtu
E ai ka kohë që ka ikur me shumëçka timen.


10. A VDESIM SONTE?

I dashur,
a vdesim sonte?
e bukur është vdekja në krahët e njëri-tjetrit
të paktën s’do mbajmë më frikë
se mos zgjohemi vetëm
në një botë të shëmtuar
në një botë shterrpë
marrim një frymë të përbashkët
puthemi
s’kemi kohë për shumë gjëra
mjafton një të dua e madhe
dhe pak drithërima

pastaj i mbyllim sytë
sjellim ndërmend gjithçka tonën:
parfumet e mia
brekët e tua të gjata
telefonat
mesazhet
ca zënka më kujtohen si nëpër mjegull
bora e madhe e atij dimri-prush
malli që na u qep fort
yjet që i kapëm me dorë
puthjet…
përqafimet
teksa hëna ulej në sup të qytetit.

I dashur,
a vdesim sonte?
e bukur është vdekja
mbi çarçaf të bardhë
shkelma syrin
do të jetë fare lehtë
s’duhet thënë shumë gjëra
mjafton një të dua e madhe
dhe pastaj i mbyllim sytë
sjellim nëpër mend
atë shtëpi të vjetër
atë dhomë të errët
ku...

Vdesim sonte i dashur
të lutem mos ma prish!!!
11. DY MINUTA PRIT DHE…

Mund të mos vij mund të jem harruar
dy minuta prit dhe shko

rrugët janë të gjata
grumbuj zuzarësh më ndalojnë
ti mos prit shumë
pritjet i lodhin dashuritë
më kujto një herë dhe shko

udhës mos blej trëndafila
ende më pëlqejnë shumë
po mund të mos vij
mund të jem shuar
dy minuta prit dhe shko

ndoshta më është tekur ta grij dëshirën
ti mos prit gjatë
dhimbje s’dua të kesh
mund të më kenë lidhur
më thirr në emër dhe… shko

do të jem përpjekur
do të jem nisur me vrap
më kanë zmbrapsur urdhrat
besoje këtë dhe ik

ndoshta s’vij
ndoshta s’mund të vij
dy minuta prit dhe shko


12. BURBUJË

Them ja kortezhi
jam vetëm unë aty
ç’kortezh i shëmtuar!

në varrim s’ka njeri
sapo të nxora nga një kishë e harruar
thua që s’je i krishter
e di
vetmia të ka mësues
dhembjet t’i njeh Krishti
është po aq i vetmuar
gozhduar në kryq
Ti në mua

Sinonim i kryqit-Unë
zhbëhen djajtë tek më shohin
e humbe dhe kryqin
ai mbetet në stuhi të kupolave
më s’lind Jezu
të gozhduar s’do të ketë
në është lehtësim s’e di
kur prore vrimat shkaktojnë dhembje
vrimat - pasojë e përjetshme e gozhdimit.

Them ja kortezhi…
pa njerëz
pa kufomë konkrete
ritualet i dogja
dashuria qe rit

Kërkova lotin mbrëmë
më të fundmen pikë
(s’e gjeta)
e çoroditur vdekja
e domosdoshme ndarja

Tërmetet ma godasin kokën
brendinë
e dashuruar jam
në mua dikush po vdes.


13. FLUTURUSHA

Isha budallaqkë kur të desha
ngapak fëmijë
ngapak hutë

ushtroja detyrën e adhurueses
isha fluturushë
isha vjeshtë ngapak

eh, sa më ka marrë malli
të bëhem budallaqkë
pakëz fëmijë
e lojtur ngapak.


14. ERDHI TEK UNË MBRËMË

Erdhi tek unë mbrëmë
dhe s’u zgjua herët
majet e gishtave i qenë bërë copë
s’mund ta mendoja një gisht pa majë
një gisht cub

Plagët ia pata lidhur dikur
edhe atë më të thellën
secilën…
ofkëllente
më mbiçmonte
mandej s’flitej më për to
i harronte (ndoshta)

ende s’e di a iu shëruan

Më hidhej mbrëmë t’ia lidhja dhe këmbët
po nën fashë s’do ta shihja shërimin
ai me siguri s’do të fliste
dhe… (s’mund ta them)
më pak vlen një këmbë
se një shpirt-
plagë kurrë e palidhur.

Ai erdhi mbrëmë tek unë
kisha gjakosje të brendshme
për herë të parë hyri kah dera
erdhi që të nesërmen t’i merrte
ato pak gjëra që më kishin mbetur
as bishtin e cigares s’e harroi
këtë e kam pirë moti, më tha,
imi është

këmbët s’ia lidha
ndoshta kishte ardhur enkas për to
u zgjua vonë
zvarritej si ditët e mia pa të
gjithnjë kishte ecur në majë të gishtave
tani s’i hynin në punë

E pashë kur u nis
njeriun pa hapa
tinëzarin tim
që si frymë ma pati mbërthyer qenien

askurrë s’do ta ndeshja në jetën time
s’kishte më as majë në gishta

s’do të vinte më.


15. E JONA S’ËSHTË DASHURI

Do të thuash e jona është ndryshe
mund dhe s’mund të quhet dashuri
i ngjet një loje
me tendenca për të mos u luajtur kurrë
përvidhet ngapak
ndalesa është lavire përpara saj
e ajo një ndalesë e përbetuar

Do të thuash se e jona është ndryshe
e çuditshme për t’u quajtur dashuri
mozaik postmodern a dadaist
copash labirinthi
ndërprerjet s’e vënë në dyshim ndjenjën
veç fjalën
(të dua s’thuhet kaherë)

Do të thuash se e jona është ndryshe
ashtu them dhe unë
të korrigjoj:
ajo është tejdashuri
dashuri grimcash gjithësie
prokurore që dënoi mëkatin.



16. ME SHI

Më kujto shi kur të bjerë
më pate parë edhe me flokë të lagura
një dashuri prej shiu qe e jona
lart…lart fluturonin dëshirat si lejlekë
dhe kurdoherë gjendej një gjahtar aty pranë
ne qanim me shi
netët kishin vetëm pikla uji e kurrë ëndrra
se kush guxonte të ëndërrojë
e di shpirt kur të jesh duke soditur shiun
unë akoma s’do ta kem parë as edhe një ëndërr

kur të bjerë shi jetësomë
jetësomë kur të bjerë shi e kur të jetë natë
në një të tillë më mbajte në krahë
tek kërcisnin orët si lëvozhga arrash
dhe gjithçka qe humbëtirë
përmbytej gjithçka

më kujto kur shi të bjerë
lëshohu në shtrat symbyllur
rend në ditët e bardha
shkolla e largët do të jetë lagur
do të ketë të ftohtë
dhe kujto si qava për pëllumbat
që fshiheshin pas strehëve
histori pëllumbash ishin për ty
unë e di ato e patën mësuar dashurinë
më mirë se ti
më mirë se unë

kur të bjerë shi do të vi
gjithë botën do ta heq zvarrë pas vetes
për t’u shfajësuar
mund dhe të më mbash mëri
vërtet u gdhiva në një sup të huaj
po qava… qava e u luta për shi.



17. TA THEM UNË SI TË MË KUJTOSH

Kujtomë me lule
sinonim imi le të jetë ajo
dhe zemra e arit në qafë

do të vij veç kur akrepat puthiten
i lash gishtërinjtë atje në flokët e tu
mos qaj… S’ishe dhe aq i keq me mua

në do t’ia beh ndonjë natë
me akrepat e orës
kujdesu për lulet

mos thuaj: jetojnë pak
vyshkjen e pranoj
tretjen assesi
ndaj qiri mos ndez!


18.E PAGJË

Mos më trokisni në derë
mbrëmë i fala edhe ëndrrat e fundit
ato ngjyrë trëndafili
të ruajtura me vite në kutinë e stolirave

mos ejani
s’kam ç’t’ju jap
natën që shkoi e pashë veten nuse
pamje që më vinte shpesh
që atëherë kur e skuqja fytyrën
me buzëkuqin e mamasë

gjithherë më morët nga diçka
tani s’kam më as ëndrra
dhe ju s’e vrisni mendjen

Mos më trokisni në derë
më mbeti vetëm një qiell që më rresh shi
të dielën e fundit të secilit muaj
më shkund mendimi
se të dielave
qielli im i vogël
më mban meshë
për shpirtrat që humbën diku
për miqtë që s’kthehen më
si minutat e orës së lumtur
dhe për atë, Donin

mbrëmë i fala edhe ëndrrat e fundit
tash kam vetëm qiellin e vogël
po juve s’ju pëlqen të lageni nën të

mos më trokisni në derë !!!



19. ANTITEZË E DASHURISË

E marrë bëhem kur dashuroj
Po dhe dashuria marroset në mua
Britmat shuhen në klithje të fshehta
E tëra qajeqeshje jam

Shoh si u thyekan ndjenjat
Para ligjit të arsyes
Si bëhem Hënë kur Dielli ka vdekur

Marroset dashuria
Marrosem unë

Mund të pyesni për datën
T’ua them emrin e tij
Edhe një adresë po kërkuat nga unë
Emrin e tij do ta dëgjoni
Më pyesni për jetën
Ju flas për Të
Fundja… fjalori im ka vetëm një emër


Prore zvogëlohem
Një qukapik përpiva
Ç’dëm!
Ndodh fitoret t’i pres e gjunjëzuar
E bëj dashurinë të luajë mendsh

Pse hutoheni
Dashuria vjen ndryshe tek une
E marrë bëhem kur dashuroj
Po dhe ajo marroset në mua.
20. KJO S’ËSHTË NISMË

S’ka të përtejme
Me heshtje kurorëzohen dashuritë
Ti mbetesh edhe pas teje

Vjersha më ka rënë në shtëpi publike
Pasojë e një ndjenje të çoroditur
Që brenda të mban dhe ty

Kjo s’është nismë
Po munde harroi të gjitha
Edhe mua edhe shiun
Vetëm mos ma kërko të njejtën

Ti mbetesh edhe pas teje
Gjërat qarkullojnë në cikël
Kthehen në zanoren e dytë të emrit tënd
Marrin trajtën tënde

S’ka të përtejme
Ndonëse lind në çdo skaj ku shembesh


Cikli i dytë:

Në cep të gotës lëre shijen e puthjes sate
do të pi me shekuj nga ajo gotë




21. ***

Ti mëso të dashurosh shpirt
ëndrro një qiell vere
një puthje të athët nën të

mëso të më sjellësh në mendje
me sy që s’guxuan kurrë të qajnë
me një gazetë pa kronikë të zezë

mëso shpirt se në botë
ka kaq njerëz që i zë gjaku
që picërrojnë sytë para plagës

mëso se deti nuk është larg
diç na lidhi me të gjithmonë
ka ëndrra…shumë ëndrra
fundosur, mbytur në të

shpirt, mëso ta vësh dashurinë
pak më lart se koka jote
mëso ta shohësh në sy pa frikë
ajo s’ka mundur njeri
në jetë të jetëve

mëso ta duash natën
t’i duash edhe terrinat
një e tillë bëhet lehtë
çerdhe dashurish të ndaluara
mëso t’i lexosh poetët
kanë qiej dëshirash të heshtura
kanë nevojë të ethshme për Ty

puth shpirt pa u lodhur
pa hezituar puth
dua të jesh i përjetshëm

i dashur, mëso të më dashurosh
t’ia punosh jetës
dhe të qeshesh
të qeshesh e të më shkrish.



22. DASHURI SA NATA

Natë është.
Për të mijtën herë të dashuroj
afati është i caktuar:
deri sa të hapen grilat e natës
pastaj të largoj nga vetja
pres të mbyllen sërish grilat
të orvatem të të dua jashtë mase
më tepër se mbrëmë.


23. NË XHEP KAM NJË BOTË

Sytë më trembeshin nga sytë e tu
dhe zhdukeshin në çmendi shikimet
fjalët humbnin rrugën
kur ti u kushtoje vëmendje
Zeniti robërohej
e sytë…akoma më trembe(shi)n
nga sytë e tu.

Një varr e kam atje tej në harresë
do të t’i fus kockat
lëkurën
buzët…
veç sytë jo-ato janë botë.

Në harresë miha gropën
çdo gjë në të është varr kujtimesh
aty do jetosh këtej e tutje
s’do rrezatosh më dashuri
gjithçka tënden do e lë brenda
pa ta kursyer as buzëqeshjen që më josh

Në gropë do të ta mbuloj këngën
zërin
puthjen
veç sytë s’ti varros- në xhep kam një botë




24. AI

Ai vinte në Tetovë veç kur binte shi
Kur qielli mbushte gropat me pikla çdo anë
Ajo ngazëllehej, thoshte ç’rastësi
Dhe s’e mësuan bashkë në qeshën a qanë.

Piklat, shiu, gropat i bënin natës këngë
Ai ritmin dëgjonte malli i bëhej varr
Asaj si mol vargjet ia zhdukte një brengë:
Shiu së fundi do e shuante atë zjarr

Në Tetovë kalimthi pati shkelur prapë
S’do mend që i kujtohej shiu dhe Ajo
Nën qiell të kalter seç digjte një vapë
Ajo tundte djepat dhe kund s’dukej, jo.

Kishin rënë shira të rëndë a të lehtë
Vitet ishin hedhur në një hon nga s’vinë
Asnjë shenjë të vjetër s’kishte për të gjetë
Të thara gropat s’e njohin, s’e dinë.



25. EJA ME SHIUN

Në bregun e ylbertë pres
Shi nuk bie
ti s’vjen

kangjellat ia vura kohës
natën s’ia dola ta mashtroj
ti s’vjen
nuk bie Shi

vargjet shpërndahen.
dot s’i mbledh
Poezia nuk shkruhet
kur ti s’vjen
e Shi nuk bie

dikah e ke nisur veten
rrokjet venë me ty
adresën time s’e dinë
as vargjet as ti
as Shiu


26. RRITA

Tash u thye ëndrra për një botë Tonën
u rritëm ndoshta
botë për dy njerëz nuk ka
e mësuam ndërkaq

dashnorë të mëkatuar
për ju s’ka rrathë ferri
mollën e kafshuat ama!

Në një përrallë jetoka shtëpia jonë
e vogla me kulmin vjollcë
muret e kuqrremta…

Poete mjerane je, më thua,
s’ndërtove një saraj për dashurinë
një oborr mbretëror
po vure ca yje që flasin
një bibliotekë-arkiv
një breg të vetmuar…

Unë qaj kur ti s’e njeh poezinë
bëj një vjershë luksoze
për qejfin tënd
me vila verimi
me avionë të kaltër
i shkojmë qark botës

Ç’shëmti!
vend s’po gjetkemi kund
për shtëpinë tonë të kuqrremtë

U rritëm.
S’ka më Ne.


27. NËSE TI SHKON

Nëse ti shkon
vetëm urrejtje s’do të kesh lënë pas
hera-herës mund edhe të qeshem
të qeshem me të madhe
kur të më merr malli
ngashërimet t’i mbys me gaz
dhe të kujtoj:
sa të padenjë janë ikanakët për t’u dashur.




28. KRIJIM NGA NJË VARG I GJYMTUAR

Ti lind kah s’të kam pritur
befas krijohesh nga një varg i lënë përgjysmë
më dhemb fjala e papërfunduar
vargut që të ndillte s’i vura dot pikë
i përsosur do të ishe me të

rritesh pa dhënë llogari për të djeshmen
errwsirws i shpifet mortja kur tw sheh
gjurmëtar i kohëve të paqena

po e heq zvarrë vargun e papërfunduar
mes klithjesh rikrijoj imazhin tënd:
shfaqesh stërmadh
s’të zënë dot fletët
as muret s’mjaftojnë për përshkrim të denjë…
sa bukur ëndërrokam

e krijova vetë atë varg të gjymtuar
diku thellë në të krijova shpirtin tënd
për çudi sot jepem kaq fort pas teje
sikur qeshë krijesë jotja
dhe e vargut të lënë përgjysmë.


29. TË LUASH DASHURINË

Ky është vetëm flirt
Tepër banal për t’i thënë dashuri
E ku u dashuruakan qeniet e gjalla!?
Mund ta dua vetëm telefonin tim celular
Mund të më dojë vetëm llamba e leximit

Dhe tani që mbeta vonë
Për t’u quajtur adoleshente
Kam sall ndjesinë e flirtit të madh
Bashkë me atë djallin përbrenda
Që më pëshpërit se ti ekziston
Unë i besoj lart e poshtë
Sa ekzistimit të një bote tjetër shpirtërash

Ky është vetëm flirt
Këtu s’investohen ndjenjat e virgjëra
Këtu vrapohet drejt njëri-tjetrit
Sa për të treguar burrëri
Këtu s’ka rëndësi nëse ti ekziston
E rëndësishme është të shfryhet
Ndaj Botës që bëri të ndjehesh tutcan

Këtu ke kënaqësinë të luash dashurinë
Sa për t’ia mësuar flirtin tjetrit.




30. LËBYREM

Dhe ti që s’vjen përditë
ty që pret ftesa të veçanta
s’ka kush të të shkruajë

unë po marr rrugën
në krahë shtërgu
prapabote të iki
me ty brenda



CIKLI I TRETË :

Kam dhe dashuri të tjera që më ngacmojnë,
por janë pak




31. UJKU ME SY KAPROLLI

E vranë poetin që bridhte natën
Penën e kishte përgjysmë
E kishte hëngër të shkretën
Në fund ia doli edhe ajo
Ia hëngri kokën
Instiktin e ikjes zhvilloi ujku që ndiqej
S’u mësua kurrë t’ia mësyjë një kopeje
U ndoq
U vra
I ndjeri
Vetëm pse një katragjysh i quhej ujk
Vetëm se babai i kishte shkuar rreth e rrotull
Një qengji galan
Kjo heshje nate fsheh plumbin e fundit
Për mua
Sendet bërtasin
Ujku pati vetëm instiktin e të shkruarit
Instiktin e ikjes
U vra!!!
Se kush ngacmuar ia kishte trurin
Nervin e urisë
I ngopur ngordhi
Për çudinë time syrin e kishte të hapur
Sy kaprolli
Ç’ironi!!!
Ujku me sy Kaprolli!
Mbetur borxh i kishte shpirtit
Ndaj qepallat s’iu afruan

Kam filluar të ulërij
Sendet bërtasin në formë ulurime
Pështjellim që të ngjall krupën
E kaluar qoftë!!!
E shkuar qoftë!!!


E vranë poetin që bridhte natën
Edhe një plumb ka nata
Për mua
E di,
djalin do t’ma quajnë Ujkan

Dhëntë Zoti nipin mos ta ketë poet!



32. JAM E VARFËR SI BOTA
*Nënës Terezë
Dhe toka ka pak dritë, Nënë
Njerëzit janë të brishtë
Dënojnë dashuritë

Njerëzit kanë harruar të lindin
Ata nuk zgjasin dorë
Se nuk kanë
Kanë sall ca sëpata të mprehta
Ua kam frikën, nënë

Më the
Ta rindërtoj pa bëzamë atë që ma prishën natën
Atë që e bëra tërë jetën
Dhe unë s’guxoj
Kam atë djallin përbrenda
Që më kërkon shpagim për ty
Që s’të zuri kurrë

Botë e tërë e varfër
Dënon dashuritë
Të varfër janë të pashpirtët, më the,
Të varfër janë të paditurit
Të gjithë janë të varfër ngapak
Dhe s’kanë mëshirë për veten
Ndihmoi o Zot mëkatarët, thua,
Unë s’e them dot
Jam e varfër nënë
Si bota




33. ASHTU DESHI MEMI

Kur im atë më pagëzoi Vjollcë
butësinë kishte në mendje

gotat u thyen pa u cakërruar mirë
rrëqethej Prishtina
dollitë u ngritën për jetë të gjatë
kjo s’qe më e rëndësishmja
ata harruan të pinë për fatin tim

do më thërriste Vjollcë
dhe jo Liridonë a Qëndresë
ai ndillte një kohë tjetër
ku qëndresa ruhej në muze
e liria kishte ardhur qëkuri

ishte moskohë
në një lagje me mua flinin pesë Trime
shkronjat i mësova bashkë me tri Qëndresa
Lirie quhej shoqja ime e fëmijërisë…
ishte kohë idealesh
fëmijët kishin emra më të rëndë se vetja

më thirri Vjollcë
mbolli një tufë ndjeshmëri në mua
në vargje poetësh të lojtur më fshehu

u dashurova në shi
ashtu donte im atë

ngjizi në mua pak jetë
sa vetmi
sa hutim…
isha Vjollcë
lule e tija

ah! Harroi të vriste kalimtarin
që do më shkilte në çeltinë pahiri.




34. ÇATIVE SI MACE

Me vdekjen time u ndesha
s’ishim parë moti
më paralajmëroi se do të më braktiste
një korb do ta merrte teksa bën dashuri
mua të lënën më la

Tash s’flas më me vdekjen time
do të trokas një ditë, më tha,
kur të më kenë harruar të gjithë

asokohe çative shetisja si mace e zezë
dhe u qesha
u qesha me një qeshje që s’ishte imja
posi shtrigat në përrallë
vdekja s’po trembej
e shkreta
atëherë kur t’i teket të më trokasë në derë
moti do të jem mësuar të harroj dhe të braktis.


35. VJERSHË PËR JONËN

Jona duhet jetuar
ndryshe shthurrjet do mbajnë erë
luleshtrydhe

e heshtën Jonën
i vinte era shi
era këngë
e tëra lirikë qe

ajo i di të gjitha:
e ha ndryshku botën
përfolen edhe yjet

I kujtohen drithërimat e mamkës
mbi bar të njomë
sa fort e deshi këtë fëmijë
bijën e një klithjeje të përshpirtshme

Jona i di të gjitha marritë:
ka parë dënimin e prindërve
në shtyllat e turpit
pse deshën të duajnë
dhe varrimin e tyre
në anët e kundërta të një muri kinez

klorofil i Botës është Jona
është edhe qepallë e lagur ngapak

ajo djeg vuajtjen
si Romën Neroni
vendlindjet janë djegur kaherë

mamka i jep frymë Jonës
Jonës që s’u formësua as në mitër
i vinte era shi
era dëshirë
jetoi në gjethe, në arna
në sythe lulesh kish shtëpinë
e përshtynë

Jona… ah, Jonë
Mos thuaj se s’të deshën prindërit!




36. PARADOKSE
Me vite thurra litarë durimi
Në përjetësi për t’u ngjitur

U shtanga në mes të udhëtimit
Pamundësia ngadhënjeu

Në litarin që me vite thurra
Të var a thua veten time?!

Apo të thurr mbase akoma paradokse
…kjo tani është çështja!!!




37. HIÇ MË SHUMË, EDVINË

Ti Edvinë je si poezia:
e vockël e madhe njëkohësisht

je më e bukura fjalë e buzëve të mia
unë s'flas motrush
të të nxjerr s'dua nga vetja

ma sjell detin përpara
për t'mi bërë netët poezi
bën dhe pak erë të krijosh valë
ti e di se shpirtin lë aty

je si poezia Edvinë
më rebelon më vdes më qesh

je poezi e hiç më tepër
vdes për natyrë pas shiut, të them
unë vdes nga natyra pas shiut, më thua

ti Edvinë prapë më acaron
je poezi Edvinë hiç më shumë



38. ***

E shita botën dje
më paguan sall një ëndërr të bukur
dhe ca këngë labe
dhe hiç më shumë

një rend i ri ekonomik:
ëndrrat ndërrohen me ndyrësira
që dinë vetëm të rrotullohen
kjo më pëlqen

e shita botën
për çudinë time
e bleu lypësja me kapotë roze
fundja kush ëndërronte më mirë se ajo!?

ma mësoi një këngë dhe qeshte
e saj ishte bota
e shita a ia fala s’e di
e ndërrova me një ëndërr të bukur
që zonja me kapotë roze
e shihte vetëm mëngjeseve
teksa unë e gjora
mendoja se ëndrrat e kishin lënë moti

bota u shit
zonja me kapotë roze po çmendet
s’u pajtua me gjumë pa ngjyra
të këndoj u mësova
tash do t’ia mbath
do vete pas ëndrrës


39. A THUA JETOJNË ATA QË S’TË NJOHIN?

Poezi,
ka gjëra që s’m’i zuri vargu
s’t’i thashë
po s’të kam gënjyer kurrë
kam vrapuar në inde vargjesh
ku lashë pjesë të vetes

e ti je foshnja ime që s’ngopet
me një lindje
je fëmija që më ngjan aq shumë

Të detyrohem poezi
Sot kur më shembin të gjithë
S’t’u ktheva gjithmonë
Ka net kur të mundi
Ime motër Linda
Më tërhoqi në një bisedë intime
Dhe unë e desha më shumë

ka gjëra që s’t’i thash
ka net kur të ika
dhe ti qe përherë aty



CIKLI I KATËRT:

Ishte dhjetor
por s’bënte ftohtë
vjershat s’ngrikan as në dimra të jashtëzakonshëm




40. NJË NATË NË DHJETOR

Si të të sjell sonte këtu
Në këtë festë ku kujtimet kërcejnë
Asgjë s'pipëtin
Ty s'të pëlqejnë ndejat e zhurmshme
Prandaj jemi vetëm unë dhe Mozarti
Shfaqet spektakli i vetmisë së madhe
Jemi vetëm unë dhe Mozarti
Ti mos u bën xheloz
Ai ka harruar si bëhet dashuri

Pse s'trazohesh të më vish?

Kur varëm veten
Kujtimet i patëm si shkëmb nën këmbë
I shqelmuam dhe... vdiqëm

Përvjetor të rëndë festoj
E s'di si të të sjell ty këtu
Tavolina bëri gati gjithçka
E vdekur shishja e verës mbi të

Unë s'pi pa ty
Mozartin e dehu pentagrami
E shpifur është vera
Kësaj nate kur marrosen kujtimet
Kur është mesi i dhjetorit
Kur bën ftohtë
Kur Mozarti i dehur dergjet në këngë
Kur ti s'je
Dhe jashtë bie Borë.




41. MË BIEN NDËRMEND DIMRAT

Ime mëmë bindshëm thotë
se më ka lindur në gusht
verë paskësh qenë atëherë
mua më kujtohen akujt përreth
dhe gjaku që më kish ngrirë në dej

nga fëmijëria mbaj mend vetëm sajën
kapelën dhe dorezat e kuqe
s’më bënin përshtypje lodrat
kukullave s’ia kisha fort ngenë

dy herë kam qarë me vaj kur qesh fëmijë:
kur s’dija të rrëshqisja
(s’u mësova dot)
dhe kur dielli i mëngjesit
ma shkriu dordolecin - veprën e tim ati

dy herë qava edhe më pastaj
kur qeshë e rritur
kur të desha ty
kur mbaroi dhjetori
kur lutesha të kishte dymbëdhjetë dhjetorë
në vit

borë bie edhe sot
por jo deri në bel
ngrinë mbrëmjet e qeta
Shkollën e largët mbulon

të mbulon dhe ty
42. TË IKËSH?

Përse duhet të ikësh
kur jashtë ulërijnë ujqit
kur kemi një gjysmë jete
pa u dashuruar
të ikësh përse?




43. PËRGJUMJE

Vjen ndonjë ditë paksa e kthjellët
me ty brenda
një ditë blerinë
gjumë bëmë i dashur përgjithmonë
gjumë të plumbtë
s’na vajti mendja të zgjohemi

na u përgjumën ditët pa i larë sytë
ëndërruam kroje të ftohta majëmali
ku s’ngjiten njerëzit…
shpirt
sa më vjen keq
që ishim njerëz dhe ne


CIKLI I PESTË:

Vjersha që s’i bëja dot më shkurt


44. Sërish kësaj nate mund të shkruaj vjersha

Kësaj nate mund të shkruaj vjersha
kur midis meje dhe Nerudës nis një garë
për vjershën më të trishtueshme
që ia kall datën dashurisë

ç’po ndodh me fjalët e mia?
ç’përndizen e tringëllojnë trishtueshëm?
Tmerrisht netë roze në mua
e Neruda bën gjoja e ka harruar
atë natë kur shkruante vjersha
tmerrisht të trishtueshme
ngrihet
ma ndez një flakaresh
poetët u egërsuakan (!)
o tani… tani do të shkruajë patjetër
e kujtoi vjershën
atë të asaj nate
mbase edhe vetë atë natë

Jemi në garë trishtimi
unë dhe Neruda
ai është nëna e trishtimit
unë babai
(gjinitë s’përputhen
s’ka rëndësi)
kësaj nate mund të ndodhë gjithçka
edhe tmerrisht e trishtueshmja…
Ka të ngjarë ta shikojë
me përbuzje vargun tim
e i butë mund t’i duket
çdo fjalë aty jam Unë
çdo pikë është trishtimi

“Kësaj natë mund të shkruaj vjersha
tmerrisht të trishtueshme…”
mbase ta kaloj dhe ty Nerudë
se edhe unë “kaq herë e pata puthur
nën qiellin e hapur”
kaq herë më pati shtrënguar në krahët-zjarr…
(po çmendem, Nerudë)

Të njejtën vjershë e shkruajmë të dy
nuk di nëse ka kuptim të garojmë
humbës jemi kahmot
që ditën kur humbëm dahurinë…

netët edhe më tej do të zgjaten
kërkoj ndjesë nga miku im Poet
që ia kujtova atë natë frymëzimi të trishtueshëm
ia kujtova vjershën
a bukuroshen me sy të mëdhenj…

(E di Nerudë?
imi ka sy të vegjël
“e si të mos i desha ata sy?”)

Tani jam vetëm si Dielli
pa një tjetër Diell për ta dashur
i denji im iku me të tjera
s’bëhem dot ti, Nerudë
t’i them dhimbjes ndal
ndal dhe rreshtave për atë që e desha

Nerudë,
të pata marrë për të çmendur kur…
mbase ke pasur të drejtë:
“Sa e shkurtër është dashuria, sa i gjatë harrimi!

Kësaj nate do të shkruaj vjersha patjetër
e Nerudës mbase ia kaloj
s’më pëlqen të jem më e trishtuara në atë dashuri

Vjershën ma trazon i treturi
më duhet të shkruaj trishtueshëm
posi im mik Poet

Jemi të njëjtë
humbës që të dy
më kot garojmë
(për disa orë do të na braktisë edhe kjo natë)
e pranoj se shtegtarin
gjithmonë e desha
e ai
herë pas here më pati dashur…

Neruda është më krenar
S’dorëzohet
e thotë ndryshe vjershën
tmerrisht të trishtueshme…



45. BËHU I MIRË

` Bëhu i mirë i dashur
ashtu si të rris në mendje
ashtu si zgjohesh damarëve të mi
dhe unë e nis një ditë me iluzione
narkozë që s’më lëshon assesi
e nis një ditë plot jetë
kjo do të thotë plot ti
një ditë që s’mbaron kurrë
as kur vrapoj rrëzohem rrokullisem
brenda jetës së shpifur
brenda pëshpërimave
dhe lutem të ndërrohet diçka në mua
a së paku le të ndërrohet diçka rreth meje
për shembull ndonjëra nga rrugët
ku eci përditë me veten fshehur në xhep
ndonjë tavolinë ku mbështes kokën dhe qaj
dërrasa s’kupton
të paktën s’di të pëshpërisë
herë më teket ta ndërroj Samirën
me një mike (shurdh)memece

Unë përditë rinis jetën
me forca të njëjta që kaluan në mua
nga i vetmi shikim yti
forca që zhduken mbrëmjeve
bashkë me ty;
unë shoh si lind e perëndon një gjë e
rrumbullakët
pa ndikuar asnjë grimë mbi mua
një puthje e çmendur e zhbën
brenda meje në çast
e unë kam mundësinë të qaj…
të qaj shumë
si rrjedhojë e energjisë së atij kontakti
të çmendur
të zhbërë

Bëhu i mirë i dashur
dhe s’do të kem asnjë ankesë
kur ti sundon indet e mia
bëhu i mirë shpirt e ndize këtë natë
me hirin e grumbulluar brenda meje
më ndez dhe mua
m’i ndërro ditët e lodhura prej makine
të lutem i dashur
bëhu i mirë!!!


46. SHTËPIA UTOPI

Buzëliqeni ndërtova shtëpinë tonë
Me kulmin vjollcë
Muret e kuqërremta
Kemi vetëm dhomën e gjumit
Shtratin e ngushtë
Ku mbrëmjeve ma tregon
Përrallën e vogëlushes së dashuruar
Në engjëllin që do të jetojë tri ditë në tokë

Unë qaj rishtas me këtë përrallë
Të futem më thellë në kraharor
Për të mos u lënë vend barrierave

Dielli na gjen të përqafuar
Gjumi s’ka guxim të na ndajë
Natën kemi ëndërruar njëri-tjetrin

Në përdhese na pret një kuzhinë
Një mesore me banjën e vogël
Dhomën e ditës e shndërruam në bibliotekë
Aty më pëlqen ta shkruaj poezinë
Teksa ti shfleton dokumente me vlerë

Ditën fare pranë liqenit bëjmë dashuri
Mjellmat mospërfillëse shëtiten
Valët tërbohen nga zilia
E pushtojnë bregun

Ka çaste kur zihemi për gjëra të kota
Ti ankohesh se poezisë i kushtoj më tepër vëmendje
Unë të akuzoj se këngën e do më shumë

Është koha të më vësh në gjumë
S’përdori nënkresë
(jam mësuar të fle në supin tënd)
Përralla fillon…

Gishtat në flokë t’i ndjej
Humbas në rrëfimin
Për vashën dhe engjëllin e dashuruar
Prapë qaj
Pyes nëse të duket histori e njohur kjo
E di që të mundon fundi i përrallës
As ty s’të pëlqejnë ndarjet e dhunshme

Kërkoj t’ia ndërrosh fundin
Ti prapë s’e bën
Më thua: ata jetuan dashurinë
Madje Ishin të lumtur
Jetuan (veç) tri ditë
Për t’u dashur gjithë jetën

Ndjej se po më zë gjumi
Në shtëpinë tonë
Dhe përralla më duket e njohur…


47. SHKATËRR

U bënë më shumë ditë
me vargmale malli
në gërshetin e sime bije
thura zymtësinë me të qarat bashkë
nga padija ia helmova ardhmërinë
një dashuri prej qelqi e pret andej
bukuroshen time sygështenjë

do ta jetoj jetën tënde, nënosh
më thotë teksa ia mbath çorapet
ajo s’e di se xhamaprerës nuk ka më
e vogla ime pranon të kujdeset
sijeta për një kornizë

ç’tmerr! Ajo dëshiron të jetë si unë
s’ka kuptim për dashuritë e qelqta
as për vargmale malli me vite të ndrydhur
...oh, po ajo s’të njeh as ty
s’të njoh as unë
u bënë shumë ditë
kaq herë i ndërruam kalendarët

ti shëtitësh në shtëpinë time
plasje më vjen
vetëm unë shoh si hyn e del
e atë pamje prej eleganti
Bëj ta mbyll derën
Të të lë jashtë
Përtej derës më duhet t’i derdh qelizat
E frymën ta bëj llambë sokaku

Pa turp në shtratin tim bashkëshortor
Vjen e shtrihesh mes meje dhe atij
Në kinomurin përballë shtratit
Ecën tërë natë shiriti i së djeshmes hutaqkë

Ç’më ngulfat ndërgjegjja!




CIKLI I GJASHTË:


Vjersha për ty Lindë, është cikël më vete
sikur qenia jote për jetën time


48. GJYSMAT BËHEN NJË, MOTRUSH

Nesër kur të jesh këtu
do t’ia thyejmë turrinjtë zbrazëtirës
s’të nis më puthje vizuele

nesër ti do të jesh këtu
më tepër se një ditë e aguar
më tepër se cicërimë zogu
se një mesazh telefonik
ti do vish, Linda ime
me sytë si nata
me buzëqeshjen si…
ah, ku ta gjej një krahasim?

ti do më vish, e bukura ime
me ajkë ndjenjash
në flatra pulëbardhe do më vish

nesër kur të jesh këtu
me më të bukurën e dashurive
ia thyejmë turrinjtë vetmisë
kudo gjysmat bëhen një nesër

se ti do vish
me këpucë me take numër 37
me dhëmbë kokrriza të vockla të bardha
me dashuri motre
me stinën e pestë
me botën e tërë...
eh, me ç’sende do më vish

eja, Linda!




CIKLI I SHTATË:


Vetmi, yt bir trishtimi po fle me mua sonte




49. KORBA UNË

Dashurinë e pata të madhe
Më kërkoi edhe një jetë tjetër për të jetuar
Kjo nuk i dilte

E gjora unë
S’munda t’ia fal as edhe një.




50. SIËNDRRA

Një pëllëmbë e ca ka mbetur Tetova
unë e di
ajo do zvogëlohet edhe më
tani kur ti s’je
tani kur vetëm korbat hyjnë në jetën time

ke harruar të lindësh mëngjeseve të mia
je po ai zanatçi harrese

Tetova u nis…
ti s’ke parë kurrë si zhduket një qytet
gëmadhat ma trembin vjershën

shpinën ta njoh mirë
në ikje të kam sharë sa herë
kam parë si shkoje pa zë
dhe si pas të ndiqte një qytet




51. KAQ SHUMË PRITJE

Kaq shumë pritje në një jetë jo të madhe
në një natë të bardhë dëshire
për trupin tënd të qielltë
kaq shumë imazhe të një qafe që lakmohet
bashkë me shenjëzat e vockla
bashkë me gjurmë dhëmbësh

kaq shumë pritje
në një dashuri tonën
të rrëmbyer nga kusarët gjithherë
të thithur deri në gjakosje nga vetë ne
në net pritjeje acarimi
epshi pa mbarim




52. TË KA HUMBUR TETOVA

Mirmëngjes,
jam unë
edhe sot mbijetova
mezi u mbajta për një mesazh telefoni

tani do ta bëj grimin
kundër dëshirës sate
pastaj do ta marr çantën dhe do nisem
në një ditë të zakonshme pa ty
do kthej kokën të të puth para daljes
ti s’do jesh
askurrë s’ke qenë aty
ndrydha gjithmonë dëshirën brenda

Tetova boshe prapë
të ka humbur
një ditë e gjatë
e gjatë…
pa fund
pa skaj.

Mbrëmjeve mbledhur kruspull
do rilexoj mesazhet e rralla
më pas do fle me të shpejtë
strukur mbi çarçafin e bardhë
për të mos u mundur nga të ftohtit
e mungesës sate
nesër do të zgjohem prapë
me një mirëmëngjes tjetër
me një dëshirë gjigante
për një mesazh telefonik
për një ditë më shumë jetë.
53. NUSËRIM

Kjo natë po bie erë ti
kjo natë po çmendet a po më çmend s’e di
kjo natë e harroi emrin e vjetër
kjo natë po më vdes
a po më rilind s’e di

kjo natë më mëson të harroj



54. Ç’U BË DASHURIA?

Qyteti më ha si qen
ti s’je
shtratin e kam dyshe
këndej fle unë
andej kokrrizat e pluhurit
natën më merret fryma
nga pluhurat që zgjohen
a nga ëndrrat erotike me ty

Tirana më kafshon si bushtër
thyer i kam rrugët sheshet zhurmëruese
kuptim ka vetëm një shtrat dyshe
midis Tiranës që ha




55. DASHURIA SOT

Sot dashurinë ma zë një kujtim i vogël
Po atë dashuri që s’ma zinin kohërat dikur

Si film më kalon para syve dashuria sot
Po ajo e vetmja
E madhja
E pakrahasueshmja
Ajo dashuri që s’ma zinte jeta

Sot dashurinë e fus brenda kujtimit
Po atë dashuri që s’ma zinte as puthja.

Sot dashuria e njeh edhe mortjen
Po ajo që s’u mësua të ngryset e tëra.




56. DUA TË KËNDOJ

Në qytet zhurmoj vetëm unë
erëra të trishta fryejnë i dashur
zhvishem ngapak prej vetes
dhe ndjej si qan një këngë
foshnja ime që pret të rritet

bonore e vetme jam në qytet
sepse ti ke ikur
sepse këtu s’ka sens për këngë
57. BALERINAT


Kohët si balerinë të flasin mësohen
me gjuhën e trupit
pas mpirjeve të gjata
pas muzës që e vras mbrëmjeve
për ta shkatërruar anën më të dhembshur
anën më të marrë të qenies sime – poezinë
kohët po flasin me alfabetin e trupave
posikur ne kur thamë Të dua
në aq shumë vjeshta
derisa i harruam fjalët përgjithmonë


58. KAQ

Humbje kohe s’ishe
Por as mik s’m’u bëre kurrë.
_________________________
Mama, ti po fle
sa gjëra te trishta më bien ndërmend
kjo botë ka funde
kur ti ndjek ëndrrat
unë jam një flutur nën shi
jam emri tjetër i asgjësë…
s'ka mundësi ta kesh harruar:
edhe e vogël kur qeshë
të lusja të mos flije
para se gjumi të më vidhte mua
karriget në errësirë s'më ngjanin në gogolë
po s'desha të flije
gjëra të trishta më binin ndërmend

Contenu connexe

Tendances

Ndre Mjeda - 2015
Ndre Mjeda - 2015Ndre Mjeda - 2015
Ndre Mjeda - 2015Riku Verri
 
prilli i thyer BISEDA LETRARE
 prilli i thyer BISEDA LETRARE prilli i thyer BISEDA LETRARE
prilli i thyer BISEDA LETRAREmanomano46
 
Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe
Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe
Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe sara7991
 
Rrethi i letërsisë
Rrethi i letërsisëRrethi i letërsisë
Rrethi i letërsisëArdiPerla
 
lasgush poradeci
lasgush poradecilasgush poradeci
lasgush poradeciornela rama
 
Shkrimtare te shquar shkrimtar
Shkrimtare te shquar shkrimtarShkrimtare te shquar shkrimtar
Shkrimtare te shquar shkrimtarDenis Celaj
 
dokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradeci
dokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradecidokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradeci
dokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradecimikaela basha
 
projekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyre
projekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyreprojekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyre
projekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyreFatjon Cane
 
Ema bovaria
Ema bovariaEma bovaria
Ema bovariaSonnjaK
 
Ura me tri harqe
Ura me tri harqeUra me tri harqe
Ura me tri harqeArdiPerla
 

Tendances (19)

Ndre Mjeda - 2015
Ndre Mjeda - 2015Ndre Mjeda - 2015
Ndre Mjeda - 2015
 
prilli i thyer BISEDA LETRARE
 prilli i thyer BISEDA LETRARE prilli i thyer BISEDA LETRARE
prilli i thyer BISEDA LETRARE
 
Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe
Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe
Ardhja e migjenit në letërsinë shqipe
 
Rrethi i letërsisë
Rrethi i letërsisëRrethi i letërsisë
Rrethi i letërsisë
 
Lasgush
LasgushLasgush
Lasgush
 
lasgush poradeci
lasgush poradecilasgush poradeci
lasgush poradeci
 
Pulebardha
PulebardhaPulebardha
Pulebardha
 
Shkrimtarët e letërsisë bashkohore Shqiptare
Shkrimtarët e letërsisë bashkohore ShqiptareShkrimtarët e letërsisë bashkohore Shqiptare
Shkrimtarët e letërsisë bashkohore Shqiptare
 
Shkrimtare te shquar shkrimtar
Shkrimtare te shquar shkrimtarShkrimtare te shquar shkrimtar
Shkrimtare te shquar shkrimtar
 
Mrizi i Zanave
Mrizi i ZanaveMrizi i Zanave
Mrizi i Zanave
 
dokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradeci
dokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradecidokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradeci
dokumentari mbi romantikun e fundit te letersise shqiptare,lasgush poradeci
 
Zonja Bovari
Zonja BovariZonja Bovari
Zonja Bovari
 
projekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyre
projekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyreprojekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyre
projekt: shkrimtaret bashkohor shqiptar dhe veprat e tyre
 
Ema bovaria
Ema bovariaEma bovaria
Ema bovaria
 
Dritero Agolli.
Dritero Agolli.Dritero Agolli.
Dritero Agolli.
 
Ura me tri harqe
Ura me tri harqeUra me tri harqe
Ura me tri harqe
 
Gjergj Fishta
Gjergj FishtaGjergj Fishta
Gjergj Fishta
 
Nora dhe Ema
Nora dhe EmaNora dhe Ema
Nora dhe Ema
 
ANALIZE ..."ZONJA BOVARI "
ANALIZE ..."ZONJA BOVARI "ANALIZE ..."ZONJA BOVARI "
ANALIZE ..."ZONJA BOVARI "
 

Similaire à Vjollce Berisha Ne Xhep Kam Nje Bote

classic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxx
classic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxxclassic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxx
classic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxxORIADAHASA
 
Ti duhet ta dish - Suad Bajrami
Ti duhet ta dish - Suad BajramiTi duhet ta dish - Suad Bajrami
Ti duhet ta dish - Suad BajramiSuad Bajrami
 
Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``
Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``
Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``Adriatik Rexha
 
Sikur te isja djale
Sikur te isja djaleSikur te isja djale
Sikur te isja djaleJURIST
 
Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``
Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``
Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``Adriatik Rexha
 
Vëllim poetik nga Daniel GAZULLI
Vëllim poetik nga Daniel GAZULLIVëllim poetik nga Daniel GAZULLI
Vëllim poetik nga Daniel GAZULLIMarjan Dodaj
 
Silke Liria Blumbach Lumi Që Rrjedh Drejt Burimit
Silke Liria Blumbach   Lumi Që Rrjedh Drejt BurimitSilke Liria Blumbach   Lumi Që Rrjedh Drejt Burimit
Silke Liria Blumbach Lumi Që Rrjedh Drejt BurimitAgjencia eMagic
 
Shefki Oseku ``Hetimet``
Shefki Oseku ``Hetimet``Shefki Oseku ``Hetimet``
Shefki Oseku ``Hetimet``Adriatik Rexha
 
Daniel Gazulli Vjeshtë në Lebjanë - Novela
Daniel Gazulli   Vjeshtë në Lebjanë - NovelaDaniel Gazulli   Vjeshtë në Lebjanë - Novela
Daniel Gazulli Vjeshtë në Lebjanë - NovelaMarjan DODAJ
 
Xhemajl Rudi, Lule Dhe Vjeshte
Xhemajl  Rudi, Lule Dhe VjeshteXhemajl  Rudi, Lule Dhe Vjeshte
Xhemajl Rudi, Lule Dhe Vjeshtebotimetshqiptare
 
POETET SHQIPTARE.pptx
POETET SHQIPTARE.pptxPOETET SHQIPTARE.pptx
POETET SHQIPTARE.pptx313klevis
 
Letër një mikut tim
Letër një mikut timLetër një mikut tim
Letër një mikut timFezga Muci
 

Similaire à Vjollce Berisha Ne Xhep Kam Nje Bote (15)

classic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxx
classic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxxclassic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxx
classic-english-novels xxxxxxxxxxxxxxxxx
 
Ti duhet ta dish - Suad Bajrami
Ti duhet ta dish - Suad BajramiTi duhet ta dish - Suad Bajrami
Ti duhet ta dish - Suad Bajrami
 
Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``
Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``
Haki Stermilli ``Sikur Te Isha Djal``
 
Sikur te isja djale
Sikur te isja djaleSikur te isja djale
Sikur te isja djale
 
Poezi
PoeziPoezi
Poezi
 
Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``
Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``
Mehmet Bislimi ``Stine E Vonuar``
 
Vëllim poetik nga Daniel GAZULLI
Vëllim poetik nga Daniel GAZULLIVëllim poetik nga Daniel GAZULLI
Vëllim poetik nga Daniel GAZULLI
 
Silke Liria Blumbach Lumi Që Rrjedh Drejt Burimit
Silke Liria Blumbach   Lumi Që Rrjedh Drejt BurimitSilke Liria Blumbach   Lumi Që Rrjedh Drejt Burimit
Silke Liria Blumbach Lumi Që Rrjedh Drejt Burimit
 
Jeta
JetaJeta
Jeta
 
Jeta
JetaJeta
Jeta
 
Shefki Oseku ``Hetimet``
Shefki Oseku ``Hetimet``Shefki Oseku ``Hetimet``
Shefki Oseku ``Hetimet``
 
Daniel Gazulli Vjeshtë në Lebjanë - Novela
Daniel Gazulli   Vjeshtë në Lebjanë - NovelaDaniel Gazulli   Vjeshtë në Lebjanë - Novela
Daniel Gazulli Vjeshtë në Lebjanë - Novela
 
Xhemajl Rudi, Lule Dhe Vjeshte
Xhemajl  Rudi, Lule Dhe VjeshteXhemajl  Rudi, Lule Dhe Vjeshte
Xhemajl Rudi, Lule Dhe Vjeshte
 
POETET SHQIPTARE.pptx
POETET SHQIPTARE.pptxPOETET SHQIPTARE.pptx
POETET SHQIPTARE.pptx
 
Letër një mikut tim
Letër një mikut timLetër një mikut tim
Letër një mikut tim
 

Plus de Agjencia eMagic

Plus de Agjencia eMagic (12)

Doktor valuta ekrem ajruli
Doktor valuta   ekrem ajruliDoktor valuta   ekrem ajruli
Doktor valuta ekrem ajruli
 
Hamdi Islami Guret E Kalase
Hamdi Islami Guret E KalaseHamdi Islami Guret E Kalase
Hamdi Islami Guret E Kalase
 
Sekreti I Lumturise
Sekreti I LumturiseSekreti I Lumturise
Sekreti I Lumturise
 
Kurani
KuraniKurani
Kurani
 
Foshnja Jonë
Foshnja JonëFoshnja Jonë
Foshnja Jonë
 
Rritja dhe kujdesi per femijen e sapolindur
Rritja dhe kujdesi per femijen e sapolindurRritja dhe kujdesi per femijen e sapolindur
Rritja dhe kujdesi per femijen e sapolindur
 
50 Fakte Nga Jeta E Merlin Monro Së
50 Fakte Nga Jeta E Merlin Monro Së50 Fakte Nga Jeta E Merlin Monro Së
50 Fakte Nga Jeta E Merlin Monro Së
 
100 Femrat Më Të Pushtetshme Të BotëS
100 Femrat Më Të Pushtetshme Të BotëS100 Femrat Më Të Pushtetshme Të BotëS
100 Femrat Më Të Pushtetshme Të BotëS
 
Golgota Shqiptare
Golgota ShqiptareGolgota Shqiptare
Golgota Shqiptare
 
Gazetaria Ne Lulezimin E Saj
Gazetaria Ne Lulezimin E SajGazetaria Ne Lulezimin E Saj
Gazetaria Ne Lulezimin E Saj
 
Unegruaja
UnegruajaUnegruaja
Unegruaja
 
Fati Trans
Fati TransFati Trans
Fati Trans
 

Vjollce Berisha Ne Xhep Kam Nje Bote

  • 1. NE XHEP KAM NJE BOTE Cikli i parë: Atje ku heshtjet kishin frikë të hynin abortova përnatë ëndrrat që s’duhej të lindnin 1. TË MOS KISHTE NATË Të mos binim në gjumë të mos kishte shtrat ku të flije ti dhe mendimet të më vinin të kthjellëta pa tymnajë xhelozie pa vetmi të prerë Nata lëshohet me peshë tutem mos kulmi më zë përfundi jashtë ka vetëm huta të marrët dëgjojnë edhe zëtha nate kodra e gjelbër në bark të territ fle apo mori udhë dikah s’e di. Kuptimi për ngjyrat bisedat e zogjve detet e botës dhe unë kemi pjesëtuesin më të vogël të përbashkët: Natën kur krijesat e brishta s’rrojnë Dhe ti që të dua kaq shumë fle diku larg Natën e di ti lë gjithçka edhe qenien time edhe këngën që dhemb Të mos kishte natë të mos binim në gjumë unë do të harroja se s’më përket mua do të harroja dhe pikë. Sikur të mos kishte natë… 2. NDEZULLI Dua të jem Ofeli në Vjosë të vish ti pastaj në shtratin tim të ujtë në nënkresën me lule të jetë pranverë vetëm pranverë unë dhe lulet të këputura notojmë të vish ti pastaj të dashurohesh në pranverë në erën e luleve të këputura
  • 2. në puthjen time të lagur valë-valë dua të jem Ofeli në Vjosë ti s’mund të më zgjosh Borëbardha u harrua në përrallën e gjyshes Hidushe më pëlqen të jem Ofeli në Vjosë jo për rrokjen e njëjtë të emrave tanë veç për shelgun lotues që luledelet si foshnjë t’i mbaj në gji për vjollcat që mbinë në lumë brenda Ofeli do të jem në Vjosë përrojet s’i dua do fle pastaj me lulet pa u zhytur jam e lehtë bosh përbrenda të mos bëjë vapë hije dua me shelg trishtues Ti të vish pastaj kur të jem Ofeli unë në Vjosë e tëra luledele kur të jem. 3. CIKËRRIMË Kur ti fle qyteti është i vetmuar parqet memece më shikojnë çuditshëm ti zgjohesh jeta rikthehet gëzimi se ku më gjen mua rrugët i kënaqen ardhjes sate bota ikën bashkë me ty ndenjësen e bardhë e lag shiu dielli nuk lind të pret unë e di ti prapë s’do të vish s’është gjë e madhe kjo mund të flesh akoma qyteti po mësohet me vetminë unë tretem cikërrimat janë kriminele. 4. *** Ti mos eja, kalendaret s’e çajnë kokën ecin tutje një zë i harruar sopraneje s’rresht Ti mos eja Ngjyrat tërhiqi nga jeta ime
  • 3. le ta humbim rrugën drejt kuptimit rozë zëri sopranë mbytet mes ngulçimash Ndjej neveri. Një këngë dashurie jep shpirt. Të qaj? Jo. Lotët s’frymojnë në morte kaq të mëdha. 5. S’BËJ NDONJË GJË Dera pret një gisht që troket Vazon e kishin parë tek mblidhte lule dhe qeshte Tavolina bleu e gatiti gjithçka që të pëlqen (Ua! E paska djegur ca mishin!) Karriget dhe rruga s'u miqësuan dot Qiriri u ndez dhe lutet të vish Seç iu tek Pirros të këndojë për ty! Vetëm unë flej. S'të pres. 06. GJITHÇKA E TRAZUAR Thellë brenda nesh gjithçka e trazuar mort kemi telefoni ka vdekur ashtit tim fuqishëm mesnata i bie poezia vajton në të zeza e veshur i arratisur që moti gjumi bredh në shi në gjithësinë timetë vetmuara dy yje lotojnë takimet e sëmura në një skaj dergjen mjekë jemi vetë s’e dimë diagnozën (mbase dhe s’duam t’i shpëtojmë) !? arsyeja kufij të pathyeshëm vendos përtej s’depërtojnë as shpresat gjithçka ka ndryshuar njëlloj s’është asgjë e premtja ka boshsi pëlcet e mërkura… e shtuna… as që dua ta kujtoj thellë brenda nesh gjithçka e trazuar perëndojnë ditët e bukura mort kemi gjithçka po vdes që është jona këtë natë qiriri s’po ndez… heshtje ndjenjash të ndrojtura (ç’rrëmujë, ç’trazirë në ne) Brenda thellë…
  • 4. 7. TË BËHEMI PËRRALLË Eja më merr nuse, në krahun e pestë të yllit bëjmë shtëpinë yjtë do hedhin vallen me koreografi lasgushiane dhe s’do qaj më kurrë Eja më merr, nuk i kam zënë besë përrallat vetëm fundet ia lakmova haj bëhemi përrallë me fund haj i gjejmë të qarës një fund Eja më merr nuse, në krah ylli dasëm të bëjmë teksa yjet kërcejnë teksa qiejt përgjojnë. 8. ISHA E VOGËL Isha e vogël atëherë kjo më dukej poetike dikur e përsërisja shpesh tani e di isha e mitur vërtet edhe flokët i kisha të shkurtëra sa po ndërtoja një rrugë jete që sillte vetëm te ti rrugën që nënvetëdija ime e mësoi përmendësh para se të ecja unë në të e vogël isha atëherë një skicë e thjeshtë po kisha dëshira të mëdha netëve të shihja ëndërr mëngjeseve mblidhja lule fëmijëria ime s’të zinte se këmbët i kisha të vogla qiellin e vizatoja të kaltër pa re t’i puthja vetëm sytë isha e vogël mblidhja lule po kisha dëshira të mëdha. 9. TI JE KËTU
  • 5. Ti je këtu Po ai ka kohë që ka ikur Bashkë me borërat që s’bien më Ti ke edhe duar edhe përkëdhelje Ti ke edhe buzë edhe puthje Po ai ka kohë që ka ikur tok me drithërimat e mia S’rënkoj më Ti je këtu bashkë me natën që e dua Ai ka kohë që ka ikur Me vete ka hijet dhe shtratin Tash s’gjetkemi një vend për t’u shtrire ne dy Ti je këtu E ai ka kohë që ka ikur me shumëçka timen. 10. A VDESIM SONTE? I dashur, a vdesim sonte? e bukur është vdekja në krahët e njëri-tjetrit të paktën s’do mbajmë më frikë se mos zgjohemi vetëm në një botë të shëmtuar në një botë shterrpë marrim një frymë të përbashkët puthemi s’kemi kohë për shumë gjëra mjafton një të dua e madhe dhe pak drithërima pastaj i mbyllim sytë sjellim ndërmend gjithçka tonën: parfumet e mia brekët e tua të gjata telefonat mesazhet ca zënka më kujtohen si nëpër mjegull bora e madhe e atij dimri-prush malli që na u qep fort yjet që i kapëm me dorë puthjet… përqafimet teksa hëna ulej në sup të qytetit. I dashur, a vdesim sonte? e bukur është vdekja mbi çarçaf të bardhë shkelma syrin do të jetë fare lehtë s’duhet thënë shumë gjëra mjafton një të dua e madhe dhe pastaj i mbyllim sytë sjellim nëpër mend atë shtëpi të vjetër atë dhomë të errët ku... Vdesim sonte i dashur të lutem mos ma prish!!!
  • 6. 11. DY MINUTA PRIT DHE… Mund të mos vij mund të jem harruar dy minuta prit dhe shko rrugët janë të gjata grumbuj zuzarësh më ndalojnë ti mos prit shumë pritjet i lodhin dashuritë më kujto një herë dhe shko udhës mos blej trëndafila ende më pëlqejnë shumë po mund të mos vij mund të jem shuar dy minuta prit dhe shko ndoshta më është tekur ta grij dëshirën ti mos prit gjatë dhimbje s’dua të kesh mund të më kenë lidhur më thirr në emër dhe… shko do të jem përpjekur do të jem nisur me vrap më kanë zmbrapsur urdhrat besoje këtë dhe ik ndoshta s’vij ndoshta s’mund të vij dy minuta prit dhe shko 12. BURBUJË Them ja kortezhi jam vetëm unë aty ç’kortezh i shëmtuar! në varrim s’ka njeri sapo të nxora nga një kishë e harruar thua që s’je i krishter e di vetmia të ka mësues dhembjet t’i njeh Krishti është po aq i vetmuar gozhduar në kryq Ti në mua Sinonim i kryqit-Unë zhbëhen djajtë tek më shohin e humbe dhe kryqin ai mbetet në stuhi të kupolave më s’lind Jezu të gozhduar s’do të ketë në është lehtësim s’e di kur prore vrimat shkaktojnë dhembje vrimat - pasojë e përjetshme e gozhdimit. Them ja kortezhi…
  • 7. pa njerëz pa kufomë konkrete ritualet i dogja dashuria qe rit Kërkova lotin mbrëmë më të fundmen pikë (s’e gjeta) e çoroditur vdekja e domosdoshme ndarja Tërmetet ma godasin kokën brendinë e dashuruar jam në mua dikush po vdes. 13. FLUTURUSHA Isha budallaqkë kur të desha ngapak fëmijë ngapak hutë ushtroja detyrën e adhurueses isha fluturushë isha vjeshtë ngapak eh, sa më ka marrë malli të bëhem budallaqkë pakëz fëmijë e lojtur ngapak. 14. ERDHI TEK UNË MBRËMË Erdhi tek unë mbrëmë dhe s’u zgjua herët majet e gishtave i qenë bërë copë s’mund ta mendoja një gisht pa majë një gisht cub Plagët ia pata lidhur dikur edhe atë më të thellën secilën… ofkëllente më mbiçmonte mandej s’flitej më për to i harronte (ndoshta) ende s’e di a iu shëruan Më hidhej mbrëmë t’ia lidhja dhe këmbët po nën fashë s’do ta shihja shërimin ai me siguri s’do të fliste dhe… (s’mund ta them) më pak vlen një këmbë se një shpirt- plagë kurrë e palidhur. Ai erdhi mbrëmë tek unë kisha gjakosje të brendshme për herë të parë hyri kah dera
  • 8. erdhi që të nesërmen t’i merrte ato pak gjëra që më kishin mbetur as bishtin e cigares s’e harroi këtë e kam pirë moti, më tha, imi është këmbët s’ia lidha ndoshta kishte ardhur enkas për to u zgjua vonë zvarritej si ditët e mia pa të gjithnjë kishte ecur në majë të gishtave tani s’i hynin në punë E pashë kur u nis njeriun pa hapa tinëzarin tim që si frymë ma pati mbërthyer qenien askurrë s’do ta ndeshja në jetën time s’kishte më as majë në gishta s’do të vinte më. 15. E JONA S’ËSHTË DASHURI Do të thuash e jona është ndryshe mund dhe s’mund të quhet dashuri i ngjet një loje me tendenca për të mos u luajtur kurrë përvidhet ngapak ndalesa është lavire përpara saj e ajo një ndalesë e përbetuar Do të thuash se e jona është ndryshe e çuditshme për t’u quajtur dashuri mozaik postmodern a dadaist copash labirinthi ndërprerjet s’e vënë në dyshim ndjenjën veç fjalën (të dua s’thuhet kaherë) Do të thuash se e jona është ndryshe ashtu them dhe unë të korrigjoj: ajo është tejdashuri dashuri grimcash gjithësie prokurore që dënoi mëkatin. 16. ME SHI Më kujto shi kur të bjerë më pate parë edhe me flokë të lagura një dashuri prej shiu qe e jona lart…lart fluturonin dëshirat si lejlekë dhe kurdoherë gjendej një gjahtar aty pranë ne qanim me shi netët kishin vetëm pikla uji e kurrë ëndrra se kush guxonte të ëndërrojë
  • 9. e di shpirt kur të jesh duke soditur shiun unë akoma s’do ta kem parë as edhe një ëndërr kur të bjerë shi jetësomë jetësomë kur të bjerë shi e kur të jetë natë në një të tillë më mbajte në krahë tek kërcisnin orët si lëvozhga arrash dhe gjithçka qe humbëtirë përmbytej gjithçka më kujto kur shi të bjerë lëshohu në shtrat symbyllur rend në ditët e bardha shkolla e largët do të jetë lagur do të ketë të ftohtë dhe kujto si qava për pëllumbat që fshiheshin pas strehëve histori pëllumbash ishin për ty unë e di ato e patën mësuar dashurinë më mirë se ti më mirë se unë kur të bjerë shi do të vi gjithë botën do ta heq zvarrë pas vetes për t’u shfajësuar mund dhe të më mbash mëri vërtet u gdhiva në një sup të huaj po qava… qava e u luta për shi. 17. TA THEM UNË SI TË MË KUJTOSH Kujtomë me lule sinonim imi le të jetë ajo dhe zemra e arit në qafë do të vij veç kur akrepat puthiten i lash gishtërinjtë atje në flokët e tu mos qaj… S’ishe dhe aq i keq me mua në do t’ia beh ndonjë natë me akrepat e orës kujdesu për lulet mos thuaj: jetojnë pak vyshkjen e pranoj tretjen assesi ndaj qiri mos ndez! 18.E PAGJË Mos më trokisni në derë mbrëmë i fala edhe ëndrrat e fundit ato ngjyrë trëndafili të ruajtura me vite në kutinë e stolirave mos ejani s’kam ç’t’ju jap natën që shkoi e pashë veten nuse pamje që më vinte shpesh
  • 10. që atëherë kur e skuqja fytyrën me buzëkuqin e mamasë gjithherë më morët nga diçka tani s’kam më as ëndrra dhe ju s’e vrisni mendjen Mos më trokisni në derë më mbeti vetëm një qiell që më rresh shi të dielën e fundit të secilit muaj më shkund mendimi se të dielave qielli im i vogël më mban meshë për shpirtrat që humbën diku për miqtë që s’kthehen më si minutat e orës së lumtur dhe për atë, Donin mbrëmë i fala edhe ëndrrat e fundit tash kam vetëm qiellin e vogël po juve s’ju pëlqen të lageni nën të mos më trokisni në derë !!! 19. ANTITEZË E DASHURISË E marrë bëhem kur dashuroj Po dhe dashuria marroset në mua Britmat shuhen në klithje të fshehta E tëra qajeqeshje jam Shoh si u thyekan ndjenjat Para ligjit të arsyes Si bëhem Hënë kur Dielli ka vdekur Marroset dashuria Marrosem unë Mund të pyesni për datën T’ua them emrin e tij Edhe një adresë po kërkuat nga unë Emrin e tij do ta dëgjoni Më pyesni për jetën Ju flas për Të Fundja… fjalori im ka vetëm një emër Prore zvogëlohem Një qukapik përpiva Ç’dëm! Ndodh fitoret t’i pres e gjunjëzuar E bëj dashurinë të luajë mendsh Pse hutoheni Dashuria vjen ndryshe tek une E marrë bëhem kur dashuroj Po dhe ajo marroset në mua.
  • 11. 20. KJO S’ËSHTË NISMË S’ka të përtejme Me heshtje kurorëzohen dashuritë Ti mbetesh edhe pas teje Vjersha më ka rënë në shtëpi publike Pasojë e një ndjenje të çoroditur Që brenda të mban dhe ty Kjo s’është nismë Po munde harroi të gjitha Edhe mua edhe shiun Vetëm mos ma kërko të njejtën Ti mbetesh edhe pas teje Gjërat qarkullojnë në cikël Kthehen në zanoren e dytë të emrit tënd Marrin trajtën tënde S’ka të përtejme Ndonëse lind në çdo skaj ku shembesh Cikli i dytë: Në cep të gotës lëre shijen e puthjes sate do të pi me shekuj nga ajo gotë 21. *** Ti mëso të dashurosh shpirt ëndrro një qiell vere një puthje të athët nën të mëso të më sjellësh në mendje me sy që s’guxuan kurrë të qajnë me një gazetë pa kronikë të zezë mëso shpirt se në botë ka kaq njerëz që i zë gjaku që picërrojnë sytë para plagës mëso se deti nuk është larg diç na lidhi me të gjithmonë ka ëndrra…shumë ëndrra fundosur, mbytur në të shpirt, mëso ta vësh dashurinë pak më lart se koka jote mëso ta shohësh në sy pa frikë ajo s’ka mundur njeri në jetë të jetëve mëso ta duash natën t’i duash edhe terrinat një e tillë bëhet lehtë çerdhe dashurish të ndaluara
  • 12. mëso t’i lexosh poetët kanë qiej dëshirash të heshtura kanë nevojë të ethshme për Ty puth shpirt pa u lodhur pa hezituar puth dua të jesh i përjetshëm i dashur, mëso të më dashurosh t’ia punosh jetës dhe të qeshesh të qeshesh e të më shkrish. 22. DASHURI SA NATA Natë është. Për të mijtën herë të dashuroj afati është i caktuar: deri sa të hapen grilat e natës pastaj të largoj nga vetja pres të mbyllen sërish grilat të orvatem të të dua jashtë mase më tepër se mbrëmë. 23. NË XHEP KAM NJË BOTË Sytë më trembeshin nga sytë e tu dhe zhdukeshin në çmendi shikimet fjalët humbnin rrugën kur ti u kushtoje vëmendje Zeniti robërohej e sytë…akoma më trembe(shi)n nga sytë e tu. Një varr e kam atje tej në harresë do të t’i fus kockat lëkurën buzët… veç sytë jo-ato janë botë. Në harresë miha gropën çdo gjë në të është varr kujtimesh aty do jetosh këtej e tutje s’do rrezatosh më dashuri gjithçka tënden do e lë brenda pa ta kursyer as buzëqeshjen që më josh Në gropë do të ta mbuloj këngën zërin puthjen veç sytë s’ti varros- në xhep kam një botë 24. AI Ai vinte në Tetovë veç kur binte shi Kur qielli mbushte gropat me pikla çdo anë
  • 13. Ajo ngazëllehej, thoshte ç’rastësi Dhe s’e mësuan bashkë në qeshën a qanë. Piklat, shiu, gropat i bënin natës këngë Ai ritmin dëgjonte malli i bëhej varr Asaj si mol vargjet ia zhdukte një brengë: Shiu së fundi do e shuante atë zjarr Në Tetovë kalimthi pati shkelur prapë S’do mend që i kujtohej shiu dhe Ajo Nën qiell të kalter seç digjte një vapë Ajo tundte djepat dhe kund s’dukej, jo. Kishin rënë shira të rëndë a të lehtë Vitet ishin hedhur në një hon nga s’vinë Asnjë shenjë të vjetër s’kishte për të gjetë Të thara gropat s’e njohin, s’e dinë. 25. EJA ME SHIUN Në bregun e ylbertë pres Shi nuk bie ti s’vjen kangjellat ia vura kohës natën s’ia dola ta mashtroj ti s’vjen nuk bie Shi vargjet shpërndahen. dot s’i mbledh Poezia nuk shkruhet kur ti s’vjen e Shi nuk bie dikah e ke nisur veten rrokjet venë me ty adresën time s’e dinë as vargjet as ti as Shiu 26. RRITA Tash u thye ëndrra për një botë Tonën u rritëm ndoshta botë për dy njerëz nuk ka e mësuam ndërkaq dashnorë të mëkatuar për ju s’ka rrathë ferri mollën e kafshuat ama! Në një përrallë jetoka shtëpia jonë e vogla me kulmin vjollcë muret e kuqrremta… Poete mjerane je, më thua, s’ndërtove një saraj për dashurinë një oborr mbretëror
  • 14. po vure ca yje që flasin një bibliotekë-arkiv një breg të vetmuar… Unë qaj kur ti s’e njeh poezinë bëj një vjershë luksoze për qejfin tënd me vila verimi me avionë të kaltër i shkojmë qark botës Ç’shëmti! vend s’po gjetkemi kund për shtëpinë tonë të kuqrremtë U rritëm. S’ka më Ne. 27. NËSE TI SHKON Nëse ti shkon vetëm urrejtje s’do të kesh lënë pas hera-herës mund edhe të qeshem të qeshem me të madhe kur të më merr malli ngashërimet t’i mbys me gaz dhe të kujtoj: sa të padenjë janë ikanakët për t’u dashur. 28. KRIJIM NGA NJË VARG I GJYMTUAR Ti lind kah s’të kam pritur befas krijohesh nga një varg i lënë përgjysmë më dhemb fjala e papërfunduar vargut që të ndillte s’i vura dot pikë i përsosur do të ishe me të rritesh pa dhënë llogari për të djeshmen errwsirws i shpifet mortja kur tw sheh gjurmëtar i kohëve të paqena po e heq zvarrë vargun e papërfunduar mes klithjesh rikrijoj imazhin tënd: shfaqesh stërmadh s’të zënë dot fletët as muret s’mjaftojnë për përshkrim të denjë… sa bukur ëndërrokam e krijova vetë atë varg të gjymtuar diku thellë në të krijova shpirtin tënd për çudi sot jepem kaq fort pas teje sikur qeshë krijesë jotja dhe e vargut të lënë përgjysmë. 29. TË LUASH DASHURINË Ky është vetëm flirt
  • 15. Tepër banal për t’i thënë dashuri E ku u dashuruakan qeniet e gjalla!? Mund ta dua vetëm telefonin tim celular Mund të më dojë vetëm llamba e leximit Dhe tani që mbeta vonë Për t’u quajtur adoleshente Kam sall ndjesinë e flirtit të madh Bashkë me atë djallin përbrenda Që më pëshpërit se ti ekziston Unë i besoj lart e poshtë Sa ekzistimit të një bote tjetër shpirtërash Ky është vetëm flirt Këtu s’investohen ndjenjat e virgjëra Këtu vrapohet drejt njëri-tjetrit Sa për të treguar burrëri Këtu s’ka rëndësi nëse ti ekziston E rëndësishme është të shfryhet Ndaj Botës që bëri të ndjehesh tutcan Këtu ke kënaqësinë të luash dashurinë Sa për t’ia mësuar flirtin tjetrit. 30. LËBYREM Dhe ti që s’vjen përditë ty që pret ftesa të veçanta s’ka kush të të shkruajë unë po marr rrugën në krahë shtërgu prapabote të iki me ty brenda CIKLI I TRETË : Kam dhe dashuri të tjera që më ngacmojnë, por janë pak 31. UJKU ME SY KAPROLLI E vranë poetin që bridhte natën Penën e kishte përgjysmë E kishte hëngër të shkretën Në fund ia doli edhe ajo Ia hëngri kokën Instiktin e ikjes zhvilloi ujku që ndiqej S’u mësua kurrë t’ia mësyjë një kopeje U ndoq U vra I ndjeri Vetëm pse një katragjysh i quhej ujk
  • 16. Vetëm se babai i kishte shkuar rreth e rrotull Një qengji galan Kjo heshje nate fsheh plumbin e fundit Për mua Sendet bërtasin Ujku pati vetëm instiktin e të shkruarit Instiktin e ikjes U vra!!! Se kush ngacmuar ia kishte trurin Nervin e urisë I ngopur ngordhi Për çudinë time syrin e kishte të hapur Sy kaprolli Ç’ironi!!! Ujku me sy Kaprolli! Mbetur borxh i kishte shpirtit Ndaj qepallat s’iu afruan Kam filluar të ulërij Sendet bërtasin në formë ulurime Pështjellim që të ngjall krupën E kaluar qoftë!!! E shkuar qoftë!!! E vranë poetin që bridhte natën Edhe një plumb ka nata Për mua E di, djalin do t’ma quajnë Ujkan Dhëntë Zoti nipin mos ta ketë poet! 32. JAM E VARFËR SI BOTA *Nënës Terezë Dhe toka ka pak dritë, Nënë Njerëzit janë të brishtë Dënojnë dashuritë Njerëzit kanë harruar të lindin Ata nuk zgjasin dorë Se nuk kanë Kanë sall ca sëpata të mprehta Ua kam frikën, nënë Më the Ta rindërtoj pa bëzamë atë që ma prishën natën Atë që e bëra tërë jetën Dhe unë s’guxoj Kam atë djallin përbrenda Që më kërkon shpagim për ty Që s’të zuri kurrë Botë e tërë e varfër Dënon dashuritë Të varfër janë të pashpirtët, më the, Të varfër janë të paditurit Të gjithë janë të varfër ngapak Dhe s’kanë mëshirë për veten
  • 17. Ndihmoi o Zot mëkatarët, thua, Unë s’e them dot Jam e varfër nënë Si bota 33. ASHTU DESHI MEMI Kur im atë më pagëzoi Vjollcë butësinë kishte në mendje gotat u thyen pa u cakërruar mirë rrëqethej Prishtina dollitë u ngritën për jetë të gjatë kjo s’qe më e rëndësishmja ata harruan të pinë për fatin tim do më thërriste Vjollcë dhe jo Liridonë a Qëndresë ai ndillte një kohë tjetër ku qëndresa ruhej në muze e liria kishte ardhur qëkuri ishte moskohë në një lagje me mua flinin pesë Trime shkronjat i mësova bashkë me tri Qëndresa Lirie quhej shoqja ime e fëmijërisë… ishte kohë idealesh fëmijët kishin emra më të rëndë se vetja më thirri Vjollcë mbolli një tufë ndjeshmëri në mua në vargje poetësh të lojtur më fshehu u dashurova në shi ashtu donte im atë ngjizi në mua pak jetë sa vetmi sa hutim… isha Vjollcë lule e tija ah! Harroi të vriste kalimtarin që do më shkilte në çeltinë pahiri. 34. ÇATIVE SI MACE Me vdekjen time u ndesha s’ishim parë moti më paralajmëroi se do të më braktiste një korb do ta merrte teksa bën dashuri mua të lënën më la Tash s’flas më me vdekjen time
  • 18. do të trokas një ditë, më tha, kur të më kenë harruar të gjithë asokohe çative shetisja si mace e zezë dhe u qesha u qesha me një qeshje që s’ishte imja posi shtrigat në përrallë vdekja s’po trembej e shkreta atëherë kur t’i teket të më trokasë në derë moti do të jem mësuar të harroj dhe të braktis. 35. VJERSHË PËR JONËN Jona duhet jetuar ndryshe shthurrjet do mbajnë erë luleshtrydhe e heshtën Jonën i vinte era shi era këngë e tëra lirikë qe ajo i di të gjitha: e ha ndryshku botën përfolen edhe yjet I kujtohen drithërimat e mamkës mbi bar të njomë sa fort e deshi këtë fëmijë bijën e një klithjeje të përshpirtshme Jona i di të gjitha marritë: ka parë dënimin e prindërve në shtyllat e turpit pse deshën të duajnë dhe varrimin e tyre në anët e kundërta të një muri kinez klorofil i Botës është Jona është edhe qepallë e lagur ngapak ajo djeg vuajtjen si Romën Neroni vendlindjet janë djegur kaherë mamka i jep frymë Jonës Jonës që s’u formësua as në mitër i vinte era shi era dëshirë jetoi në gjethe, në arna në sythe lulesh kish shtëpinë e përshtynë Jona… ah, Jonë Mos thuaj se s’të deshën prindërit! 36. PARADOKSE
  • 19. Me vite thurra litarë durimi Në përjetësi për t’u ngjitur U shtanga në mes të udhëtimit Pamundësia ngadhënjeu Në litarin që me vite thurra Të var a thua veten time?! Apo të thurr mbase akoma paradokse …kjo tani është çështja!!! 37. HIÇ MË SHUMË, EDVINË Ti Edvinë je si poezia: e vockël e madhe njëkohësisht je më e bukura fjalë e buzëve të mia unë s'flas motrush të të nxjerr s'dua nga vetja ma sjell detin përpara për t'mi bërë netët poezi bën dhe pak erë të krijosh valë ti e di se shpirtin lë aty je si poezia Edvinë më rebelon më vdes më qesh je poezi e hiç më tepër vdes për natyrë pas shiut, të them unë vdes nga natyra pas shiut, më thua ti Edvinë prapë më acaron je poezi Edvinë hiç më shumë 38. *** E shita botën dje më paguan sall një ëndërr të bukur dhe ca këngë labe dhe hiç më shumë një rend i ri ekonomik: ëndrrat ndërrohen me ndyrësira që dinë vetëm të rrotullohen kjo më pëlqen e shita botën për çudinë time e bleu lypësja me kapotë roze fundja kush ëndërronte më mirë se ajo!? ma mësoi një këngë dhe qeshte e saj ishte bota
  • 20. e shita a ia fala s’e di e ndërrova me një ëndërr të bukur që zonja me kapotë roze e shihte vetëm mëngjeseve teksa unë e gjora mendoja se ëndrrat e kishin lënë moti bota u shit zonja me kapotë roze po çmendet s’u pajtua me gjumë pa ngjyra të këndoj u mësova tash do t’ia mbath do vete pas ëndrrës 39. A THUA JETOJNË ATA QË S’TË NJOHIN? Poezi, ka gjëra që s’m’i zuri vargu s’t’i thashë po s’të kam gënjyer kurrë kam vrapuar në inde vargjesh ku lashë pjesë të vetes e ti je foshnja ime që s’ngopet me një lindje je fëmija që më ngjan aq shumë Të detyrohem poezi Sot kur më shembin të gjithë S’t’u ktheva gjithmonë Ka net kur të mundi Ime motër Linda Më tërhoqi në një bisedë intime Dhe unë e desha më shumë ka gjëra që s’t’i thash ka net kur të ika dhe ti qe përherë aty CIKLI I KATËRT: Ishte dhjetor por s’bënte ftohtë vjershat s’ngrikan as në dimra të jashtëzakonshëm 40. NJË NATË NË DHJETOR Si të të sjell sonte këtu Në këtë festë ku kujtimet kërcejnë Asgjë s'pipëtin Ty s'të pëlqejnë ndejat e zhurmshme Prandaj jemi vetëm unë dhe Mozarti Shfaqet spektakli i vetmisë së madhe
  • 21. Jemi vetëm unë dhe Mozarti Ti mos u bën xheloz Ai ka harruar si bëhet dashuri Pse s'trazohesh të më vish? Kur varëm veten Kujtimet i patëm si shkëmb nën këmbë I shqelmuam dhe... vdiqëm Përvjetor të rëndë festoj E s'di si të të sjell ty këtu Tavolina bëri gati gjithçka E vdekur shishja e verës mbi të Unë s'pi pa ty Mozartin e dehu pentagrami E shpifur është vera Kësaj nate kur marrosen kujtimet Kur është mesi i dhjetorit Kur bën ftohtë Kur Mozarti i dehur dergjet në këngë Kur ti s'je Dhe jashtë bie Borë. 41. MË BIEN NDËRMEND DIMRAT Ime mëmë bindshëm thotë se më ka lindur në gusht verë paskësh qenë atëherë mua më kujtohen akujt përreth dhe gjaku që më kish ngrirë në dej nga fëmijëria mbaj mend vetëm sajën kapelën dhe dorezat e kuqe s’më bënin përshtypje lodrat kukullave s’ia kisha fort ngenë dy herë kam qarë me vaj kur qesh fëmijë: kur s’dija të rrëshqisja (s’u mësova dot) dhe kur dielli i mëngjesit ma shkriu dordolecin - veprën e tim ati dy herë qava edhe më pastaj kur qeshë e rritur kur të desha ty kur mbaroi dhjetori kur lutesha të kishte dymbëdhjetë dhjetorë në vit borë bie edhe sot por jo deri në bel ngrinë mbrëmjet e qeta Shkollën e largët mbulon të mbulon dhe ty
  • 22. 42. TË IKËSH? Përse duhet të ikësh kur jashtë ulërijnë ujqit kur kemi një gjysmë jete pa u dashuruar të ikësh përse? 43. PËRGJUMJE Vjen ndonjë ditë paksa e kthjellët me ty brenda një ditë blerinë gjumë bëmë i dashur përgjithmonë gjumë të plumbtë s’na vajti mendja të zgjohemi na u përgjumën ditët pa i larë sytë ëndërruam kroje të ftohta majëmali ku s’ngjiten njerëzit… shpirt sa më vjen keq që ishim njerëz dhe ne CIKLI I PESTË: Vjersha që s’i bëja dot më shkurt 44. Sërish kësaj nate mund të shkruaj vjersha Kësaj nate mund të shkruaj vjersha kur midis meje dhe Nerudës nis një garë për vjershën më të trishtueshme që ia kall datën dashurisë ç’po ndodh me fjalët e mia? ç’përndizen e tringëllojnë trishtueshëm? Tmerrisht netë roze në mua e Neruda bën gjoja e ka harruar atë natë kur shkruante vjersha tmerrisht të trishtueshme ngrihet ma ndez një flakaresh poetët u egërsuakan (!) o tani… tani do të shkruajë patjetër e kujtoi vjershën atë të asaj nate mbase edhe vetë atë natë Jemi në garë trishtimi unë dhe Neruda ai është nëna e trishtimit unë babai (gjinitë s’përputhen s’ka rëndësi) kësaj nate mund të ndodhë gjithçka edhe tmerrisht e trishtueshmja…
  • 23. Ka të ngjarë ta shikojë me përbuzje vargun tim e i butë mund t’i duket çdo fjalë aty jam Unë çdo pikë është trishtimi “Kësaj natë mund të shkruaj vjersha tmerrisht të trishtueshme…” mbase ta kaloj dhe ty Nerudë se edhe unë “kaq herë e pata puthur nën qiellin e hapur” kaq herë më pati shtrënguar në krahët-zjarr… (po çmendem, Nerudë) Të njejtën vjershë e shkruajmë të dy nuk di nëse ka kuptim të garojmë humbës jemi kahmot që ditën kur humbëm dahurinë… netët edhe më tej do të zgjaten kërkoj ndjesë nga miku im Poet që ia kujtova atë natë frymëzimi të trishtueshëm ia kujtova vjershën a bukuroshen me sy të mëdhenj… (E di Nerudë? imi ka sy të vegjël “e si të mos i desha ata sy?”) Tani jam vetëm si Dielli pa një tjetër Diell për ta dashur i denji im iku me të tjera s’bëhem dot ti, Nerudë t’i them dhimbjes ndal ndal dhe rreshtave për atë që e desha Nerudë, të pata marrë për të çmendur kur… mbase ke pasur të drejtë: “Sa e shkurtër është dashuria, sa i gjatë harrimi! Kësaj nate do të shkruaj vjersha patjetër e Nerudës mbase ia kaloj s’më pëlqen të jem më e trishtuara në atë dashuri Vjershën ma trazon i treturi më duhet të shkruaj trishtueshëm posi im mik Poet Jemi të njëjtë humbës që të dy më kot garojmë (për disa orë do të na braktisë edhe kjo natë) e pranoj se shtegtarin gjithmonë e desha e ai herë pas here më pati dashur… Neruda është më krenar S’dorëzohet e thotë ndryshe vjershën
  • 24. tmerrisht të trishtueshme… 45. BËHU I MIRË ` Bëhu i mirë i dashur ashtu si të rris në mendje ashtu si zgjohesh damarëve të mi dhe unë e nis një ditë me iluzione narkozë që s’më lëshon assesi e nis një ditë plot jetë kjo do të thotë plot ti një ditë që s’mbaron kurrë as kur vrapoj rrëzohem rrokullisem brenda jetës së shpifur brenda pëshpërimave dhe lutem të ndërrohet diçka në mua a së paku le të ndërrohet diçka rreth meje për shembull ndonjëra nga rrugët ku eci përditë me veten fshehur në xhep ndonjë tavolinë ku mbështes kokën dhe qaj dërrasa s’kupton të paktën s’di të pëshpërisë herë më teket ta ndërroj Samirën me një mike (shurdh)memece Unë përditë rinis jetën me forca të njëjta që kaluan në mua nga i vetmi shikim yti forca që zhduken mbrëmjeve bashkë me ty; unë shoh si lind e perëndon një gjë e rrumbullakët pa ndikuar asnjë grimë mbi mua një puthje e çmendur e zhbën brenda meje në çast e unë kam mundësinë të qaj… të qaj shumë si rrjedhojë e energjisë së atij kontakti të çmendur të zhbërë Bëhu i mirë i dashur dhe s’do të kem asnjë ankesë kur ti sundon indet e mia bëhu i mirë shpirt e ndize këtë natë me hirin e grumbulluar brenda meje më ndez dhe mua m’i ndërro ditët e lodhura prej makine të lutem i dashur bëhu i mirë!!! 46. SHTËPIA UTOPI Buzëliqeni ndërtova shtëpinë tonë Me kulmin vjollcë Muret e kuqërremta Kemi vetëm dhomën e gjumit Shtratin e ngushtë Ku mbrëmjeve ma tregon
  • 25. Përrallën e vogëlushes së dashuruar Në engjëllin që do të jetojë tri ditë në tokë Unë qaj rishtas me këtë përrallë Të futem më thellë në kraharor Për të mos u lënë vend barrierave Dielli na gjen të përqafuar Gjumi s’ka guxim të na ndajë Natën kemi ëndërruar njëri-tjetrin Në përdhese na pret një kuzhinë Një mesore me banjën e vogël Dhomën e ditës e shndërruam në bibliotekë Aty më pëlqen ta shkruaj poezinë Teksa ti shfleton dokumente me vlerë Ditën fare pranë liqenit bëjmë dashuri Mjellmat mospërfillëse shëtiten Valët tërbohen nga zilia E pushtojnë bregun Ka çaste kur zihemi për gjëra të kota Ti ankohesh se poezisë i kushtoj më tepër vëmendje Unë të akuzoj se këngën e do më shumë Është koha të më vësh në gjumë S’përdori nënkresë (jam mësuar të fle në supin tënd) Përralla fillon… Gishtat në flokë t’i ndjej Humbas në rrëfimin Për vashën dhe engjëllin e dashuruar Prapë qaj Pyes nëse të duket histori e njohur kjo E di që të mundon fundi i përrallës As ty s’të pëlqejnë ndarjet e dhunshme Kërkoj t’ia ndërrosh fundin Ti prapë s’e bën Më thua: ata jetuan dashurinë Madje Ishin të lumtur Jetuan (veç) tri ditë Për t’u dashur gjithë jetën Ndjej se po më zë gjumi Në shtëpinë tonë Dhe përralla më duket e njohur… 47. SHKATËRR U bënë më shumë ditë me vargmale malli në gërshetin e sime bije thura zymtësinë me të qarat bashkë nga padija ia helmova ardhmërinë një dashuri prej qelqi e pret andej bukuroshen time sygështenjë do ta jetoj jetën tënde, nënosh
  • 26. më thotë teksa ia mbath çorapet ajo s’e di se xhamaprerës nuk ka më e vogla ime pranon të kujdeset sijeta për një kornizë ç’tmerr! Ajo dëshiron të jetë si unë s’ka kuptim për dashuritë e qelqta as për vargmale malli me vite të ndrydhur ...oh, po ajo s’të njeh as ty s’të njoh as unë u bënë shumë ditë kaq herë i ndërruam kalendarët ti shëtitësh në shtëpinë time plasje më vjen vetëm unë shoh si hyn e del e atë pamje prej eleganti Bëj ta mbyll derën Të të lë jashtë Përtej derës më duhet t’i derdh qelizat E frymën ta bëj llambë sokaku Pa turp në shtratin tim bashkëshortor Vjen e shtrihesh mes meje dhe atij Në kinomurin përballë shtratit Ecën tërë natë shiriti i së djeshmes hutaqkë Ç’më ngulfat ndërgjegjja! CIKLI I GJASHTË: Vjersha për ty Lindë, është cikël më vete sikur qenia jote për jetën time 48. GJYSMAT BËHEN NJË, MOTRUSH Nesër kur të jesh këtu do t’ia thyejmë turrinjtë zbrazëtirës s’të nis më puthje vizuele nesër ti do të jesh këtu më tepër se një ditë e aguar më tepër se cicërimë zogu se një mesazh telefonik ti do vish, Linda ime me sytë si nata me buzëqeshjen si… ah, ku ta gjej një krahasim? ti do më vish, e bukura ime me ajkë ndjenjash në flatra pulëbardhe do më vish nesër kur të jesh këtu me më të bukurën e dashurive ia thyejmë turrinjtë vetmisë
  • 27. kudo gjysmat bëhen një nesër se ti do vish me këpucë me take numër 37 me dhëmbë kokrriza të vockla të bardha me dashuri motre me stinën e pestë me botën e tërë... eh, me ç’sende do më vish eja, Linda! CIKLI I SHTATË: Vetmi, yt bir trishtimi po fle me mua sonte 49. KORBA UNË Dashurinë e pata të madhe Më kërkoi edhe një jetë tjetër për të jetuar Kjo nuk i dilte E gjora unë S’munda t’ia fal as edhe një. 50. SIËNDRRA Një pëllëmbë e ca ka mbetur Tetova unë e di ajo do zvogëlohet edhe më tani kur ti s’je tani kur vetëm korbat hyjnë në jetën time ke harruar të lindësh mëngjeseve të mia je po ai zanatçi harrese Tetova u nis… ti s’ke parë kurrë si zhduket një qytet gëmadhat ma trembin vjershën shpinën ta njoh mirë
  • 28. në ikje të kam sharë sa herë kam parë si shkoje pa zë dhe si pas të ndiqte një qytet 51. KAQ SHUMË PRITJE Kaq shumë pritje në një jetë jo të madhe në një natë të bardhë dëshire për trupin tënd të qielltë kaq shumë imazhe të një qafe që lakmohet bashkë me shenjëzat e vockla bashkë me gjurmë dhëmbësh kaq shumë pritje në një dashuri tonën të rrëmbyer nga kusarët gjithherë të thithur deri në gjakosje nga vetë ne në net pritjeje acarimi epshi pa mbarim 52. TË KA HUMBUR TETOVA Mirmëngjes, jam unë edhe sot mbijetova mezi u mbajta për një mesazh telefoni tani do ta bëj grimin kundër dëshirës sate pastaj do ta marr çantën dhe do nisem në një ditë të zakonshme pa ty do kthej kokën të të puth para daljes ti s’do jesh askurrë s’ke qenë aty ndrydha gjithmonë dëshirën brenda Tetova boshe prapë të ka humbur një ditë e gjatë e gjatë… pa fund pa skaj. Mbrëmjeve mbledhur kruspull do rilexoj mesazhet e rralla më pas do fle me të shpejtë strukur mbi çarçafin e bardhë për të mos u mundur nga të ftohtit e mungesës sate nesër do të zgjohem prapë me një mirëmëngjes tjetër me një dëshirë gjigante për një mesazh telefonik për një ditë më shumë jetë.
  • 29. 53. NUSËRIM Kjo natë po bie erë ti kjo natë po çmendet a po më çmend s’e di kjo natë e harroi emrin e vjetër kjo natë po më vdes a po më rilind s’e di kjo natë më mëson të harroj 54. Ç’U BË DASHURIA? Qyteti më ha si qen ti s’je shtratin e kam dyshe këndej fle unë andej kokrrizat e pluhurit natën më merret fryma nga pluhurat që zgjohen a nga ëndrrat erotike me ty Tirana më kafshon si bushtër thyer i kam rrugët sheshet zhurmëruese kuptim ka vetëm një shtrat dyshe midis Tiranës që ha 55. DASHURIA SOT Sot dashurinë ma zë një kujtim i vogël Po atë dashuri që s’ma zinin kohërat dikur Si film më kalon para syve dashuria sot Po ajo e vetmja E madhja E pakrahasueshmja Ajo dashuri që s’ma zinte jeta Sot dashurinë e fus brenda kujtimit Po atë dashuri që s’ma zinte as puthja. Sot dashuria e njeh edhe mortjen Po ajo që s’u mësua të ngryset e tëra. 56. DUA TË KËNDOJ Në qytet zhurmoj vetëm unë erëra të trishta fryejnë i dashur zhvishem ngapak prej vetes dhe ndjej si qan një këngë foshnja ime që pret të rritet bonore e vetme jam në qytet
  • 30. sepse ti ke ikur sepse këtu s’ka sens për këngë 57. BALERINAT Kohët si balerinë të flasin mësohen me gjuhën e trupit pas mpirjeve të gjata pas muzës që e vras mbrëmjeve për ta shkatërruar anën më të dhembshur anën më të marrë të qenies sime – poezinë kohët po flasin me alfabetin e trupave posikur ne kur thamë Të dua në aq shumë vjeshta derisa i harruam fjalët përgjithmonë 58. KAQ Humbje kohe s’ishe Por as mik s’m’u bëre kurrë. _________________________ Mama, ti po fle sa gjëra te trishta më bien ndërmend kjo botë ka funde kur ti ndjek ëndrrat unë jam një flutur nën shi jam emri tjetër i asgjësë… s'ka mundësi ta kesh harruar: edhe e vogël kur qeshë të lusja të mos flije para se gjumi të më vidhte mua karriget në errësirë s'më ngjanin në gogolë po s'desha të flije gjëra të trishta më binin ndërmend