Lënda : Histori Bazë
Tema : “Qeveritë Shqipëtare gjatë
pushtimit”
Kush ishin këto qeveri?
Cili ishte roli I tyre 1940-1944 ?
A përfaqesonin Shqipëtarët?
Punoi : Anisa Sela
Klasa : 12- 6
Pas çlirimit të vendit nga pushtimi gjerman, qeveria shqiptare u paraqiti Fuqive të Mëdha
Aleate kërkesën për t'u dëmshpërblyer nga shteti italian. Kërkesa e saj ishte e ligjshme dhe e
motivuar sepse pushtimi afër 6-vjeçar i vendit nga Italia fashiste solli dëme të shumta
materiale e njerëzore. Kërkesa e qeverisë shqiptare meritonte të trajtohej me seriozitet dhe me
përgjegjësi nga organizmat ndërkombëtarë, sepse shqiptarët i bënë qëndresë të fortë
pushtuesve italianë e gjermanë, duke u rreshtuar përkrah vendeve antifashiste dhe koalicionit
të tyre të drejtuar nga shtetet e mëdha aleate, ShBA, BRSS dhe Britania e Madhe.
Përfshirja e Shqipërisë në grupin e shteteve komuniste të Evropës Lindore pas Luftës së Dytë
Botërore pati edhe pasojat e konfrontimit me ShBA dhe me vendet demokratike të Evropës
Perëndimore. Me gjithë rrugën e gjatë dhe vështirësitë që shoqëruan zbatimin e Traktatit të
Paqes me Italinë, ai pati një fund pozitiv dhe të kënaqshëm për shtetin shqiptar. Ky përfundim
bëhet i besueshëm se shtetit shqiptar iu njoh e drejta e pronësisë ndaj pasurive italiane në
Shqipëri (shtetërore, parashtetërore, private), të shtetëzuara nga pushteti komunist në vitet e
para të pasluftës, nëpërmjet Traktatit të Paqes me Italinë më 10 shkurt të vitit 1947 (neni 79).
Marrëdhëniet jo të mira midis Shqipërisë dhe Italisë, të shprehura përkatësisht në Traktatin e
Varshavës dhe në NATO, nuk i lejuan ato që të krijonin mjedis besimi dhe mirëkuptimi të
ndërsjellë, i cili do ta lehtësonte zbatimin e Traktatit të Paqes me Italinë. Do të duhej të kalonin
gati 14 vjet për të përmbushur vendimet e këtij Traktati. Në vitin 1960 kjo çështje u quajt e
mbyllur dhe më pas marrëdhëniet midis të dy vendeve njohën njëfarë zhvillimi, por nuk arritën
ndonjëherë të quhen të mira.
Procesi i marrjes së dëmshpërblimeve nga Italia, ndonëse përfshiu një kohë pak a shumë të
gjatë mund të quhet pozitiv, veçanërisht po të krahasohet me rrugën e gjatë dhe me
vështirësitë që u hasën me dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore për
Shqipërinë.
Përgatitja e Traktatit të Paqes me Italinë
Gjatë viteve 1945-1946 organet e pushtetit qendror dhe vendor u përfshinë në një veprimtari të
gjerë për evidentimin e dëmeve të luftës. Kjo veprimtari u shtri në gjithë vendin. Për këtë qëllim
u ngritën komisione të posaçme regjistrimi në qarqe, prefektura, nënprefektura, fshatra e lagje.
Komisionet përbëheshin nga pushtetarë të të gjitha niveleve dhe specialistë të shumëllojshëm.
Në krye të kësaj veprimtarie ishte Komisioni Qendror i Reparacioneve të Luftës, i përbërë nga
disa seksione. Ai drejtonte dhe udhëzonte komisionet vendore dhe i furnizonte herëpashere me
formularët përkatës të regjistrimit të dëmeve të luftës.
Duhet përmendur se puna e komisioneve nuk ishte gjithnjë e saktë. Statistikat nuk pasqyronin
gjithnjë dëmet reale të luftës. Identifikimi i tyre vështirësohej sepse disa objekte kishin pësuar
shkatërrime të dyfishta nga italianët dhe gjermanët. Po kështu ishte edhe prirja për t'i
vlerësuar shumë dëmet e luftës, në mënyrë që të përfitohej sa më tepër nga dëmshpërblimet që
duhej të paguanin Italia dhe Gjermania. Kjo prirje nuk ishte vetëm për Shqipërinë, por edhe
për mjaft shtete të tjera.
Identifikimi dhe evidentimi i dëmeve të luftës që iu shkaktuan vendit nga pushtimi italian
përfundoi në mesin e vitit 1946.
Pretendimet e qeverisë shqiptare për t'u dëmshpërblyer nga Italia iu bënë të njohura opinionit
të brendshëm dhe ndërkombëtar përpara thirrjes së Konferencës së Parisit.
Në qershor të vitit 1945 Enver Hoxha, me cilësinë e Kryetarit të Qeverisë Demokratike të
Shqipërisë, kërkoi prej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit me qendër në Moskë, që t'i
kthehej Shqipërisë ari i vet i grabitur në Romë prej nazistëve gjermanë. Më 4 shtator të vitit
1945 Enver Hoxha iu drejtua presidentit të ShBA, kryeministrit të Britanisë së Madhe dhe
kryetarit të qeverisë sovjetike me anën e një telegrami, ku argumentonte të drejtën e shtetit
shqiptar për të përfituar nga dëmshpërblimet italiane.
Më 19 mars të vitit 1946 kërkesa e qeverisë shqiptare për t'u dëmshpërblyer nga Italia iu
paraqit edhe mbledhjes së Londrës të ministrave të Jashtëm të Britanisë së Madhe, ShBA,
BRSS dhe të Francës.
Thirrja e Konferencës së Paqes të Parisit, ku do të diskutohej për Traktatin e Paqes me Italinë,
e shtyu qeverinë shqiptare që të paraqiste kërkesën e vet për pjesëmarrje. Kjo kërkesë u prit me
rezerva nga Britania e Madhe. Roger Pinsent, referent për Shqipërinë pranë Foreign Office
shprehet: "Ne, nuk e dëshirojmë veçanërisht prezencën e Shqipërisë". Britanikët mbronin
pikëpamjen "ne do t'i qëndrojmë linjës që, ajo (Shqipëria-H.K.) nuk duhet pranuar në
konferencë, por duhet ftuar që të shfaqë pikëpamjet e saj për çështje të tilla relevante, që ajo
mund të dëshirojë të arrijë". Pra delegacioni shqiptar nuk do të kishte statusin e "fuqisë aleate
apo shoqe" si delegacionet e tjera pjesëmarrëse, por do të shprehte mendimet e veta pa pasur të
drejtën e votës. Një pikëpamje e tillë, si ajo që u shpreh nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe,
u nda edhe me përfaqësuesit e ShBA dhe të Francës. Por këto nuk iu bënë të njohura qeverisë
shqiptare.
Ndërkaq qeveria shqiptare, më 10 maj të vitit 1946, kërkoi prej ministrave të Jashtëm të katër
shteteve të sipërpërmendura, që t'i jepnin Shqipërisë "një pjesë të arsyeshme dhe proporcionale
të marinës italiane për nevojat e mbrojtjes detare të vendit". Por edhe kjo kërkesë nuk u mor
parasysh.
Duke mos marrë përgjigje për kërkesat e herëpashershme që i kishte drejtuar Këshillit të
ministrave të Jashtëm, qeveria shqiptare e riparaqiti kërkesën e saj për t'u dëmshpërblyer nga
Italia nëpërmjet një memorandumi tjetër, që ia drejtoi këtij Këshilli. Në sesionin e radhës, të
zhvilluar në muajt qershor-korrik të vitit 1946 nga ministrat e Jashtëm të katër Fuqive të
Mëdha, u vendos që kërkesa e Shqipërisë dhe e disa vendeve të tjera të shqyrtohej në
Konferencën e Paqes që do të mblidhej së shpejti në Paris.
Në prag të thirrjes së Konferencës së Paqes të Parisit, qeveria shqiptare ngarkoi Misionin
Ushtarak Shqiptar në Bari (Itali) që ta informonte atë për qëndrimin që mbanin qeveria dhe
opinioni publik italian për dëmshpërblimin e Shqipërisë. Ajo shfaqi interes të veçantë për
qëndrimin që mbante në atë kohë Komiteti Administrativ i ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë
me qendër në Romë. Më 23 prill të vitit 1946 Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i përcolli
Kryeministrisë relacionin e mbërritur nga Misioni Ushtarak Shqiptar në Bari. Thelbin e tij e
përbënte kryeartikulli i gazetës "Corriere d'Informazioni", botim i qarqeve financiare-industriale
të Lombardisë, me titull: "Vajguri shqiptar dhe paqja jonë". Artikulli vinte në dukje interesat e
këtyre qarqeve në Shqipëri dhe në veçanti për fushat tona vajgurore. Sipas tyre nafta e
Shqipërisë duhej të ishte sërish në duart e Italisë, e cila do ta përpunonte atë në rafineritë e
Barit e të Gjenovës dhe pastaj do t'ua dorëzonte shteteve ballkanike (Jugosllavisë dhe Greqisë)
për të shlyer dëmshpërblimet e luftës ndaj tyre.
Traktati i paqes me Italinë
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Enver Hoxha mbërriti në Paris më 18 gusht të vitit 1946
pas fillimit të punimeve të Konferencës së Paqes. Ai kishte në përbërjen e vet politikanë,
këshilltarë dhe teknicienë. Delegacioni shqiptar kishte statusin e vëzhguesit. Ai do të ndiqte
punimet dhe do të shfaqte pikëpamjet e tij për Traktatin e Paqes me Italinë pa të drejtën e
votës. Shqipëria nuk bënte pjesë në radhët e 21 shteteve pjesëmarrëse që kishin statusin e
"fuqisë aleate ose shoqe".
Delegacioni grek i kësaj konference shfaqi konsiderata të skajshme ndaj Shqipërisë. Ai përsëriti
publikisht tezën se Shqipëria ishte në "gjendje lufte me Greqinë", pasi ajo i kishte shpallur luftë
Greqisë në vitin 1940 së bashku me Italinë. Për këtë arsye ajo nuk duhej të merrte pjesë në
punimet e kësaj konference. Ky ishte një pretendim absurd, sepse Shqipëria ishte shtet i
pushtuar nga Italia dhe territori i saj u përdor kundër Greqisë fqinje në kundërshtim me
dëshirën e popullit shqiptar.
Më 21 gusht të vitit 1946 Enver Hoxha foli në emër të qeverisë shqiptare. Ai e quajti të vonuar
ftesën për qeverinë e tij, dhe statusin e delegacionit shqiptar në këtë konferencë si të padrejtë.
E. Hoxha argumentoi domosdoshmërinë e marrjes së dëmshpërblimeve nga Italia, duke
paraqitur të dhëna të shumta për dëmet që i ishin shkaktuar vendit gjatë kohës së pushtimit
italian. Ai propozoi që Shqipërisë t'i jepej statusi "fuqi shoqe", por kjo nuk u miratua nga
shumica e anëtarëve të Konferencës.
Në tetor të vitit 1946 Konferenca e Paqes së Parisit i përfundoi punimet pa e çuar deri në fund
Traktatin e Paqes me Italinë. Konferenca nuk miratoi as propozimin e delegacionit jugosllav për
t'i dhënë Shqipërisë 25.000.000 dollarë amerikanë, as propozimin francez për t'i dhënë asaj
5.000.000 dollarë amerikanë dhe as propozimin britanik për të mos i dhënë fare
dëmshpërblime Shqipërisë. Kërkesa e delegacionit shqiptar për dëmshpërblime u kundërshtua
nga delegacionet e ShBA dhe të Britanisë së Madhe, të cilët u shprehën se "humbjet e
shqiptarëve mbuloheshin nga pasuritë italiane në Shqipëri, që ishin shtetëzuar pa shpërblim
nga pushteti komunist".
Pikëpamje të përafërt kishte edhe shefi i Misionit Civil Amerikan në Tiranë, Jozef Xhekobs
(Joseph Jacobs), i cili i shprehte Departamentit të Shtetit (D.C.) mendimin se Shqipëria ka pak
ose aspak të drejtë për ndonjë reparacion madhe se sa ajo ka sakrifikuar gjatë pushtimit dhe
shkatërrimeve të luftës, kështu që problemet i zgjidh vetë".
Delegacioni shqiptar nuk u pajtua as me propozimet e sipërpërmendura dhe as me propozimin
francez për t'i dhënë Shqipërisë 5 milionë dollarë dëmshpërblime. Ai e quajti atë si propozim "të
inspiruar nga mëshira". Delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit kërkoi
dëmshpërblime që arrinin në 3.544.332 000 fr. ari (1.161.000.000 dollarë amerikanë).
Përfundimi i Traktatit të Paqes me Italinë iu la Konferencës së ministrave të Jashtëm të katër
fuqive aleate, që u mblodh në muajt nëntor-dhjetor të vitit 1946 në Nju-Jork. Pas miratimit në
këtë konferencë Traktati i Paqes u firmos nga qeveritë e ShBA, BRSS dhe Britanisë së Madhe
më 10 shkurt të vitit 1947 në Paris. Por ky dokument do të quhej i ligjshëm pas firmosjes së tij
nga qeveritë e vendeve të dëmtuara dhe pas ratifikimit në parlamentet e këtyre shteteve.
Qeveria shqiptare i drejtoi një notë të posaçme Këshillit të ministrave të Jashtëm më 25 tetor të
vitit 1946, duke ritheksuar kërkesën e saj për ta trajtuar Shqipërinë si "fuqi shoqe" në zbatimin
e Traktatit të Paqes me Italinë. Më në fund kërkesa e saj u miratua dhe Shqipëria e fitoi këtë
status. Në këtë sesion u vendos gjithashtu që Shqipëria të përfitonte 5 milionë dollarë
amerikanë dëmshpërblime nga Italia. Kërkesa e qeverisë shqiptare për të marrë më shumë
dëmshpërblime nga Italia do të përmbushej përmes kalimit të pronave italiane në Shqipëri në
duart e saj.
Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë e ratifikoi Traktatin e Paqes me Italinë më 9 tetor
të vitit 1947. Ai autorizoi qeverinë që të aderonte në të. Aderimi u bë më 20 tetor të vitit 1947.
Traktati i Paqes me Italinë u depozitua në Arkivin e Republikës Franceze. Neni 88 i këtij
Traktati i hapi rrugën firmosjes së tij nga anëtarët e Kombeve të Bashkuara, që ishin në luftë
me Italinë. Të drejtën e firmosjes sipas këtij neni e fitoi edhe Shqipëria (e cila përmendej
veçmas të tjerëve), megjithëse ajo nuk ishte ende anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Pjesa e gjashtë e Traktatit trajtonte çështjen e reparacioneve që duhej të paguante Italia, rrugët
dhe afatet e dhënies së tyre. Italia duhej që t'i jepte Shqipërisë 5 milionë dollarë amerikanë.
Pagesat do të kryheshin gjatë 7 viteve të ardhshme, duke filluar nga koha e hyrjes në fuqi të
këtij Traktati. Shlyerja do të bëhej përmes mallrave të ndryshëm me burim nga prodhimet e
industrive italiane të luftës ose ato civile. Sasia dhe lloji i mallrave do të përcaktohej në
marrëveshjet që do të nënshkruheshin në të ardhmen.
Ambasadorët e ShBA, Britanisë së Madhe, BRSS dhe Francës në Romë do të garantonin
zbatimin e Traktatit dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindnin midis vendeve
fituese të luftës dhe shtetit italian.
Përveç shumës së 5 milionë dollarëve amerikanë, Shqipëria fitonte të drejtën e zotërimit të të
gjitha pasurive që i përkisnin shtetit ose shtetasve italianë në Shqipëri. Këto pasuri ose të
ardhurat e siguruara gjatë shlyerjes së tyre do të përdoreshin në interes të shtetit ose të
shtetasve shqiptarë. Por shteti shqiptar ishte i detyruar që t'i kthente shtetit italian (neni 79)
atë pjesë të pasurive italiane ose të ardhurat e shlyerjes së tyre, kur ato ishin në një masë të
tillë, që i kapërcenin reklamimet e palës shqiptare. Pra, pjesë e pandarë e dëmshpërblimeve
italiane për Shqipërinë ishin edhe pasuritë italiane në Shqipëri. Qeveria italiane detyrohej që të
shlyente shtetasit e vet, pasuritë e të cilëve kalonin në interes të shteteve fituese të luftës.
Qeveria shqiptare as në këto vite dhe as më pas nuk i hyri ndërmarrjes së llogaritjes së vlerës
së pasurive italiane në Shqipëri në tërësinë e tyre. Ajo e quajti të mbyllur këtë problem pasi i
shtetëzoi ato në vitet e para të pasluftës. Llogaritja e tyre kërkonte kohë dhe njerëz, por mbi të
gjitha mund të ndërlikonte çështjen e marrjes së dëmshpërblimeve nga Italia.
Traktati i Paqes e detyronte Italinë që të rikthente në Shqipëri të gjitha sendet e grabitura para
dhe gjatë luftës (restitucione). Qeveria shqiptare duhej që të hartonte listat e sendeve të
grabitura në territorin shqiptar dhe t'ia paraqiste ato qeverisë italiane brenda 6 muajve nga
koha e nënshkrimit të Traktatit. Listë-kërkesa e përpiluar nga qeveria shqiptare kishte me
hollësi sendet e ndryshme të grabitura nga italianët. Ato u përkisnin fushave të arkeologjisë,
artit, dokumenteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Punëve Botore, materiale të karakterit
ushtarak, anije, motobarka etj. Një vend të rëndësishëm në këto listë-kërkesa zinin arkivat e
legatave dhe të konsullatave shqiptare me qendër në Sofje, Beograd, Londër, Athinë,
Bukuresht, Romë, Selanik, Bari, Gjenevë, Shkup, Vjenë, Berlin, Manastir etj. Vetëm kategoria
e "restitucioneve" sipas qeverisë shqiptare arrinte vlerën 128.962.616 fr. ari ose 42.286.065
dollarë amerikanë. Fillimisht qeveria shqiptare kërkoi që t'i riktheheshin fizikisht objektet e
grabitura, por në rastet kur ato nuk gjendeshin, i kërkoi qeverisë italiane kundërvleftën e tyre,
sepse kjo zgjidhje parashikohej edhe në Traktatin e Paqes me Italinë.
Traktati i Paqes me Italinë i hapte rrugë njohjes së pronësisë për arin monetar shqiptar të
transferuar nga italianët në Romë dhe të grabitur më vonë nga gjermanët në Itali. Qeveria
italiane duhej që t'u kthente shteteve të dëmtuara nga lufta të gjithë "arin në monedhë të
grabitur ose të transferuar pa të drejtë në Itali".
Nënshkrimi i Traktatit të Paqes me Italinë ishte hap pozitiv dhe i vlefshëm për shtetin shqiptar.
Në aspektin ekonomik dhe juridik ai njohu si prona të tij pasuritë italiane në Shqipëri, të cilat
zinin vendin kryesor në kuadrin e kapitalit të huaj, por edhe në lidhje me kapitalin vendas në
disa fusha të veçanta të tij. Ai "ligjëroi" një proces shtetëzimesh të ndërmarrë nga shteti
komunist në vitet 1945-1946 ndaj kapitalit të huaj. Pra i dha bazë ligjore një procesi
shtetëzimesh të bazuara në ligje të brendshme, praktikisht në kundërshtim me të drejtën
ndërkombëtare. Gjithashtu ai i shtoi burimet e vendit, duke i siguruar Shqipërisë një burim
ekonomik kompleks. Në aspektin ndërkombëtar Shqipëria fitoi statusin e një "fuqie shoqe",
duke u radhitur së bashku me vendet e tjera fituese të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë
u krijua një bazë më e fortë për të konsoliduar pavarësinë kombëtare dhe për të ruajtur
tërësinë tërësore të vendit. Traktati i Paqes me Italinë i nxiti të dy vendet që të fillonin
traktativat për të vendosur marrëdhënie diplomatike, të cilat përfunduan në maj të vitit 1949.
Ratifikimi i Traktatit të Paqes
Ratifikimi i Traktatit të paqes nga qeveria shqiptare i hapi rrugën zbatimit të tij. Por për disa
vjet rresht ky proces mbeti në gjendje të ngrirë. Kufiri kohor 7-vjeçar i projektuar për zbatimin
e tij u kapërcye. Qeveria italiane e zvarriti atë, duke paraqitur herë pas here kërkesa dhe
pretendime që zëvendësonin njëra-tjetrën. Qeveria shqiptare u mundua të përfitonte sa më
shumë nga klauzolat e këtij Traktati. Shumën e 5 milionë dollarëve ajo e quajti tepër të vogël.
Sipas saj kjo shumë nuk i përgjigjej dëmeve që i ishin shkaktuar vendit dhe nuk merrte
parasysh, sidomos në sytë e opinionit publik në Shqipëri, vlerën e pasurive italiane në
Shqipëri.
Zbatimi i Traktatit të Paqes me Italinë përkoi në aspektin kohor me kulmin e Luftës së Ftohtë
në Shqipëri. Operacionet e fshehta të nisura nga shtetet fqinje (Itali, Greqi, Jugosllavi) në vitet
1949-1954 drejt Shqipërisë, me mbështetjen e ShBA dhe të Britanisë së Madhe, të cilat
synonin të godisnin dhe të rrëzonin diktaturën komuniste të Tiranës, e vështirësuan shumë
zbatimin e Traktatit të Paqes.
Gjatë viteve 1948-1953 nuk u ndërmorën hapa konkrete për zbatimin e Traktatit të Paqes.
Organizmat e reparacioneve të luftës, të krijuara nga qeveria shqiptare në këto vite, u morën
kryesisht me çështjen e dëmshpërblimeve gjermane. Çështja e dëmshpërblimeve italiane nuk e
kaloi kuadrin organizativ. Qeveria shqiptare riorganizoi Komisionin e Reparacioneve të Luftës,
të atashuar pranë Komisionit të Planit të Shtetit. Gjatë kësaj kohe ai u mor me dokumentimin
e hollësishëm të dëmeve të luftës dhe me hartimin e listë-kërkesave që do t'i paraqiteshin
qeverisë italiane. U hartuan statistika të hollësishme për mallrat e tregtarëve shqiptarë të
mbetur në Itali. Dokumentacioni arkivor dhe deklaratat e tregtarëve shqiptarë provonin se në
Itali ishin prokuruar mallra që vlerësoheshin 39.539.984 lira italiane dhe 165 499 franga
shqiptare. Mbi 95 për qind e këtyre shumave ishte paguar nga tregtarët shqiptarë, por mallrat
nuk kishin mbërritur në Shqipëri.
Listë-kërkesa të hollësishme u hartuan për objektet dhe sendet e grabitura nga italianët në
Shqipëri. Kërkesat e përgatitura nga qeveria shqiptare arritën shumën prej 5 milionë dollarësh,
që Traktati i Paqes i njohu si dëmshpërblim Shqipërisë.
Qeveria shqiptare filloi të kontaktonte me qeverinë italiane për arritjen e një marrëveshjeje
ndërmjet tyre në përputhje me Traktatin e Paqes. Por qeveria italiane nuk i pranoi bisedimet në
rang delegacionesh, duke paraqitur pretendime të ndryshme. Ajo fillimisht kërkoi që të
vendoseshin marrëdhëniet diplomatike dhe pastaj të diskutohej për dëmshpërblimet. Kur kjo
kërkesë u përmbush me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në pranverën e vitit 1949 ajo
ngriti çështje të tjera. Ajo i kërkoi qeverisë shqiptare që të llogariste vlerën e përgjithshme të
pasurive italiane në Shqipëri. Pas kësaj ajo kërkoi shpjegime për trajtimin juridik dhe
ekonomik që qeveria shqiptare u kishte bërë specialistëve italianë pas kapitullimit të Italisë më
8 shtator të vitit 1943.
Qeveria italiane këmbënguli për çështjen e vlerësimit të pasurive italiane në Shqipëri, sepse
kishte shpresa që vlera e tyre do t'i kapërcente pretendimet e qeverisë shqiptare dhe si
rrjedhojë ajo nuk do t'ia kthente Shqipërisë 5 milionë dollarët e përcaktuar në Traktatin e
Paqes.
Qeveria shqiptare fillimisht i kundërshtoi pretendimet e qeverisë italiane. Ajo iu referua neneve
29 dhe 79 të këtij Traktati, që ia kalonin shtetit shqiptar pasuritë italiane që ishin në territorin
e tij, me përjashtim të ndërtesave të zëna nga misionet diplomatike, konsullore dhe fetare. Më
vonë qeveria shqiptare bëri një tërheqje të pjesshme. Ajo u detyrua të pranonte kërkesën e
qeverisë italiane, duke shprehur gatishmërinë për të vlerësuar pasuritë e shtetasve italianë në
Shqipëri. Por ajo nuk pranoi që të përfshinte në këtë proces edhe pasuritë shtetërore italiane.
Qeveria italiane e pranoi këtë variant, duke menduar se vlera e këtyre pasurive do t'i
kapërcente pretendimet e qeverisë shqiptare për dëmshpërblime nga Italia. Më 30 gusht të vitit
1950 Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi të krijonte një komision të
posaçëm, i cili do të merrej me vlerësimin e pasurive të shoqërive private italiane në Shqipëri.
Komisioni kishte në përbërjen e tij 5 veta (kryesisht ushtarakë). Pranë dikastereve u ngritën
nënkomisione të posaçme për këtë qëllim. Realizimi i studimit të lartpërmendur do të arrihej
përmes bashkëpunimit të ngushtë me Institutin e Shkencave dhe me Komitetet Ekzekutive.
Studimi duhej të përfundonte brenda një periudhe 4-5-mujore.
Gjatë bisedimeve midis delegacioneve të të dy vendeve secila palë paraqiti dokumentacionin e
vet. Delegacioni italian iu referua edhe dokumenteve të siguruara nga agjencitë italiane të
transportit detar dhe ajror. Por dokumentacioni që paraqiti pala shqiptare ishte më i plotë dhe
më bindës. Ai provonte se vlera e pasurive private italiane në Shqipëri nuk i përmbushte
pretendimet e qeverisë shqiptare.
Atëherë qeveria italiane paraqiti në tryezën e bisedimeve propozime të reja. Duke u bazuar në
nenet 29 dhe 76/6 të Traktatit të Paqes, ajo i kërkoi qeverisë shqiptare që t'i kthente asaj
ndërtesat e selive dhe të komisioneve diplomatike, konsullore, fetare dhe filantropike në
Shqipëri ose kundërvlerën e tyre. Qeveria italiane kërkoi gjithashtu që t'i njihej e drejta e
pronësisë për kabllot nëndetare që lidhnin dy vendet tona. Qeveria italiane kishte llogaritur
paraprakisht se vlera e këtyre pasurive do të arrinte afërsisht 5 milionë dollarë amerikanë, nga
e cila 2,8 milionë dollarë amerikanë ishte vlera e ndërtesave të zëna nga misionet konsullore e
diplomatike dhe 2 milionë dollarë amerikanë, ishte vlera e ndërtesave të misioneve fetare e
filantropike.
Qeveria shqiptare fillimisht nuk e pranoi këtë pretendim të qeverisë italiane. Ajo iu përmbajt
idesë se misionet italiane në Shqipëri pavarësisht nga natyra e tyre ishin angazhuar plotësisht
dhe haptazi në shërbim të pushtuesve fashistë dhe për këtë arsye ndërtesat e tyre duhet të
quheshin si prona të shtetit shqiptar. Delegacioni i qeverisë italiane nuk e pranoi
argumentimin e bërë nga qeveria shqiptare. Në këto rrethana kjo e fundit u tërhoq. Të dy palët
pranuan idenë e kompensimit të ndërtesave italiane në Shqipëri, vlefta e të cilave arrinte
shumën e 2,4 milionë dollarëve amerikanë. Si rrjedhojë qeveria italiane detyrohej t'i kthente
Shqipërisë 2,6 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblime dhe jo 5 milionë dollarë amerikanë siç
ishte përcaktuar në Traktatin e Paqes.
Gjatë bisedimeve qeveria italiane ngriti edhe çështjen e huave që i ishin dhënë qeverisë
shqiptare para pushtimit. Me anën e këtij pretendimi qeveria italiane synonte që të shmangte
kërkesën e qeverisë shqiptare për t'i kthyer arin monetar të grabitur nga gjermanët. Qeveria
italiane kishte paraqitur pranë organizmave ndërkombëtarë kërkesën e saj zyrtare për
pronësinë e arit monetar shqiptar.
Çështja e borxheve italiane që kishin marrë qeveritë zogiste ishte një pikë delikate dhe e
diskutueshme. Secila palë u mundua të mbronte tezën e vet, duke iu referuar neneve të
veçanta të Traktatit të Paqes. Qeveria shqiptare u mbrojt me argumentet se huat italiane kishin
pasur karakter skllavërues dhe se ato kishin përgatitur pushtimin italian të Shqipërisë më 7
prill të vitit 1939. Së fundi pala italiane u tërhoq nga ky pretendim.
Delegacioni italian shtroi për diskutim çështjen e trajtimit juridik dhe ekonomik që qeveria
shqiptare u kishte bërë punëtorëve dhe specialistëve italianë në Shqipëri pas kapitullimit të
Italisë. Në Shqipëri, pas kapitullimit të Italisë, mbetën mijëra specialistë italianë të fushave të
ndryshme, civile dhe ushtarake. Pas mbarimit të luftës pjesa më e madhe e tyre u riatdhesua,
ndërsa qindra të tjerë vazhduan të punonin në ndërmarrjet italiane në Shqipëri. Kjo kategori
qëndroi edhe disa vjet në Shqipëri, duke u zëvendësuar më vonë nga specialistë të vendeve
komuniste të Evropës Lindore. Qeveria shqiptare i trajtoi ata ndryshe nga specialistët e
vendeve socialiste, duke i quajtur "pjesë e pandarë e ushtrisë pushtuese italiane dhe robër
lufte". Qeveria shqiptare nuk i lejonte ata që t'u dërgonin familjeve të tyre në Itali më tepër se
1/3 e pagës mujore. Në vitin 1950 Banka e Shtetit Shqiptar bllokoi padrejtësisht depozitat e
specialistëve italianë (tashmë të riatdhesuar), të cilat arrinin në 150.000 dollarë amerikanë. Me
gjithë këto çështje që ekzistonin ndërmjet dy vendeve, procesi i marrjes së dëmshpërblimeve
nga Italia ishte i pakthyeshëm.
Në vitin 1953, pas një periudhe të pafrytshme, u zhvilluan bisedime të një niveli të lartë. Fillimi
i normalitetit u pasqyrua edhe në marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve. Sasia e
shkëmbimeve tregtare me Italinë në vitin 1954 arriti 1.259.200 dollarë amerikanë. Bisedimet
shqiptaro-italiane për arritjen e marrëveshjes që rridhte nga Traktati i Paqes me Italinë përsëri
u zgjatën. Ministria e Jashtme e Shqipërisë komunikonte në mënyrë të vazhdueshme me
Kryeministrinë, me Komitetin Qendror të PPSh dhe me Byronë Politike për ecurinë e
bisedimeve shqiptaro-italiane.
Më 8 shtator të vitit 1956 Legatës Shqiptare në Romë iu dorëzua projekti i tretë i marrëveshjes
që u përgatit nga qeveria italiane. Ky projekt iu kthye qeverisë italiane pasi u amendua nga
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ministria e Tregtisë dhe Banka e Shtetit Shqiptar.
Më 22 qershor të vitit 1957 u nënshkrua në Romë marrëveshja "për rregullimin e çështjeve që
rridhnin nga Traktati i Paqes i nënshkruar në Paris më 10 shkurt të vitit 1947 midis fuqive
aleate e shoqe dhe Italisë". Në emër të qeverisë shqiptare firmosi Nesti Nase, ndërsa për
qeverinë italiane Alberto Falchi. Marrëveshja shoqërohej nga dy anekse: i pari kishte listën e
mallrave që Italia duhej t'i dorëzonte Shqipërisë dhe i dyti kishte listën e objekteve dhe të
sendeve të grabitura nga italianët. Këto të fundit duhej t'i ktheheshin Shqipërisë jo më vonë se
3 muaj pas ratifikimit të marrëveshjes.
Qeveria italiane merrte përgjegjësinë për t'i dhënë Shqipërisë shumën prej 2,6 milionë dollarësh
amerikanë si dëmshpërblim lufte. Kjo shumë do të jepej në trajtë mallrash, të ndara në katër
këste. Kësti i parë prej 1 milion dollarësh amerikanë do të jepej 45 ditë pas hyrjes në fuqi të
marrëveshjes; kësti i dytë (600 mijë dollarë amerikanë) 1 vit më pas; kësti i tretë (500 mijë
dollarë amerikanë) 1 vit e gjysmë më vonë dhe i fundit (500 mijë dollarë amerikanë) 2 vjet pas
marrëveshjes së lartpërmendur.
Zbatimi i saj e bënte të detyrueshëm nënshkrimin e kontratave të veçanta midis Ministrisë së
Tregtisë dhe firmave italiane. Qeveria shqiptare duhej që të vinte në dispozicion të qeverisë
italiane dokumentacionin që ajo kishte për pronat e shtetasve italianë në Shqipëri, sepse
qeveria italiane ishte e detyruar që t'i shlyente ata. Shteti italian, sipas artikullit 13 të kësaj
marrëveshjeje, detyrimisht duhej të bashkëpunonte me shtetin shqiptar për të identifikuar dhe
saktësuar vlerën reale të mallrave të porositur prej tregtarëve shqiptarë në Itali para muajit
shtator të vitit 1947. Kjo klauzolë nuk u shërbeu tregtarëve shqiptarë, por shtetit shqiptar, i cili
i pronësoi mallrat e tyre.
Marrëveshja me Italinë u ratifikua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë më 19 tetor
të vitit 1957 dhe pastaj ajo filloi të zbatohej. Qeveria italiane fillimisht dorëzoi objektet e
grabitura dhe më pas filloi të shlyente dëmshpërblimet e luftës.
Lista e mëvonshme e mallrave që u paraqit nga qeveria shqiptare pranë qeverisë italiane kishte
disa ndryshime të pjesshme nga lista që shoqëronte marrëveshjen.
Në korrik të vitit 1958 qeveria shqiptare kishte kontraktuar në Itali mallra të ndryshme, të cilat
vlerësoheshin 2 380 860 dollarë amerikanë. Shumicën e tyre e zinin mjetet e transporteve
tokësore e detare, makineritë bujqësore, tekstile, ndonjë dragë ose vapor etj.
Qeveria italiane zbatoi me rigorozitet klauzolat e marrëveshjes së arritur në qershor të vitit
1957. Më 30 qershor të vitit 1960 qeverisë shqiptare i ishin dhënë prej Italisë 2.584.000 dollarë
amerikanë furnizime në kuadrin e dëmshpërblimeve të luftës. Me sjelljen e 16 mijë dollarë
amerikanë mallra të tjera në Shqipëri, çështja e dëmshpërblimeve u quajt e mbyllur nga
qeveritë e të dy vendeve. Italia hoqi dorë edhe nga pretendimi i saj për pronësinë e arit monetar
të Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Në vitet 60-70 u vu re një përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve shqiptaro-italiane. U rrit
niveli i shkëmbimeve tregtare, por ato përgjithësisht mbetën të kufizuara. Prishja e
marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në vitin 1961 dhe largimi i tyre nga baza ushtarake e Vlorës
krijoi premisa për normalitet në marrëdhëniet me Italinë. Në tetor të vitit 1961 Sekretariati i
KQ të PPSh mori vendim që në Itali të dërgohej një delegacion tregtar. Në vitin 1962 delegacioni
tregtar shqiptar vizitoi Italinë, por përfundimet ishin të vogla. Qeveria italiane i ofroi qeverisë
shqiptare kredi për ta financuar ekonominë e vendit, por qeveria shqiptare nuk i pranoi ato.