Sëmundjet reumatizmale shoqërohen me shfaqjen e dhimbjes së vazhdueshme dhe invaliditetit, por impakti i tyre real i tejkalon çrregullimet e dukshme fizike. Dëmtimet dhe deformimet që shoqërojnë këto patologji, kufizojnë jetën e pacientëve dhe influencojnë veprimtarinë e tyre profesionale dhe sociale duke bërë disa here të pashmangëshme ndërprerjen ose ndryshimin e një karriere për të cilën është investuar shumë, ose pamundësuar realizimin e aktiviteteve të rëndësishme argëtuese. Vështirësitë dhe pengesat e pranishme në sëmundjet kronike reumatizmale mund të çojnë në mbingarkimin e të sëmurëve. Megjithëse pjesa më e madhe e tyre arrijnë ta përballojnë me sukses tendosjen pasuese emocionale, disa mund të shfaqin shenja të çrregullimeve emocionale, depresionit klinik ose ankthit. Disa nga çrregullimet psikologjike/psikiatrike më të shpeshta që janë vënë re tek pacientët me sëmundje reumatizmale përfshijnë praninë e depresionit, ankthit, shtim të varësisë, prani dëshpërimi të tejzgjatur, vështirësi në shprehjen e zëmërimit, ndryshime në marrëdhëniet ndërpersonale/aktivitetin seksual/cilësinë e jetës etj. Individët me sëmundje invalidizuese kanë tendencë të kenë nivele të larta depresioni. Prevalence e dëmtimit në të sëmurët me artrit reumatoid varion ndërmjet 13-20% dhe është 2 herë më e lartë se ajo e popullatës së përgjithëshme; ndërsa për osteoartritin e duarve dhe artikulacionit koksofemoral/gjunjëve kjo prevalencë luhatet ndërmjet 14% -17%. Çrregullimi depresiv shfaqet edhe tek pacientët me LES, së bashku me dëmtimet e tjera të tipit çrregullime organike mendore, psikoza, deficite konjitive/adaptimi. Disa nga faktorët që përcaktojnë rëndesën e impaktit psikologjik tek pacientët reumatizmal përfshijnë : mendimet rreth sëmundjes, strategjitë rregulluese të emocioneve, mekanizmat evitues të frikës, aftësitë për vetë-menaxhim, prania e mbështetjes sociale, ndjekja e protokolleve terapeutike/fizioterapike etj. Ndërhyrjet psikologjike kanë për qëllim të ndihmojnë pacientët të menaxhojnë më mire jetën e tyre dhe përfshijnë edukimin, aplikimin e terapive konjitive, metodat e vetë menaxhimit, bërjen e ushtrimeve fizike dhe zbatimin rigoroz të planit tratjues. Konkluzion. Pacientët me sëmundje reumatizmale mund të shfaqin shenja të çrregullimeve psikologjike të cilat duhet njihen dhe kërkohen nga mjekët e personeli që merret me trajtimin e tyre. Natyra e paparashikueshme e sëmundjeve reumatizmale, karakterizimi i tyre nga prania e periudhave të aktivizimit dhe qetësisë me nivel variabël dhimbjeje dhe invaliditeti mund të influencojnë reagimin dhe përgjigjen adaptuese/përballuese edhe të atyre pacientëve të cilët kanë qënë më përpara efektiv në këtë drejtim. Për këtë arsye mjekët duhet të kërkojnë dhe dallojnë qartësisht problemet e vështirësitë psikologjike të pacientëve reumatizmal, ti dëgjojnë ata me kujdes dhe të ofrojnë teknika efektive për përballimin me sukses të këtyre sëmundjeve kronike invalidizuese.