►Indikacionet mjeksore
Në stadin e hershëm kanceri i mushkërive shpesh nuk
jep ndonjë simptomë. Për këtë shkak shumë nga tumorët
zbulohen vetëm në një stad të vonshëm, atëherë
kur janë formuar tashmë metastazat dhe s’mund të
shërohen më.
Shqetësimet në vazhdim mund të sinjalizojnë kancerin
e mushkërive:
Kollitja e ngulmët (rezistente) që mban më shumë se 4 javë.
Kollitja kronike («Kollitja e duhanxhiut») që ndryshon
papritmas
Pështyma (këlbaza) e përgjakshme gjatë kollitjes
Frymëzënia
Sëmundja e të ftohtit (rrufa) që me gjithë trajtimin
mjekësor, nuk shërohet
Dhimbja në zonën e krahërorit
Humbja e padëshiruar e peshës, lodhja e përhershme,
mungesa e oreksit
▸DIAGNOZA
▸Problemi i parë në lidhje me kancerin në përgjithësi, si dhe kancerin e
mushkërive është kohëzgjatja e madhe prej momentit kur fillojnë ndryshimet në
qeliza dhe organizimi tumoral, gjer në momentin kur paraqiten simptomat e
para. Gjatë kësaj kohe mund të vie gjer te metastazimi i qelizave malinje
(përhapja në organe tjera: tru, eshtra, nyje limfatike etj.) dhe gjithsesi gjatë
kësaj periudhe që ndonjëherë zgjatë me muaj, organizmi dëmtohet në mënyrë të
pariparueshme (pa mundësi në kthimin e gjendjes së mëparshme). Ky problem
është i kushtëzuar nga natyra e sëmundjes, dhe në te për kohën e tanishme
shumë pak mund të ndikohet me të arriturat shkencore e teknologjike
mjekësore. Si i tillë ky problem, që nuk varet nga faktori njeri, ekziston në tërë
botën.
►Kualiteti i Jetes
▸Problemi i dytë, është po ashtu kyç sepse, edhe koha prej se janë lajmëruar
simptomat e para e gjer te kërkesa për ndihmën mjekësore, dhe rrjedhimisht
diagnostikimi, shpesh është në mënyrë të paarsyeshme e gjatë dhe kjo varet
nga kultura shëndetësore e pacientit dhe niveli i shërbimit shëndetësor. Për
fat të keq në Kosovë, për dallim nga shtetet e zhvilluara, edukimi shëndetësor
i qytetarëve dhe organizimi i shërbimit shëndetësor ende janë të dobëta, ashtu
që këtu humbet një kohë e çmueshme dhe e pakthyeshme për menaxhimin e
kësaj sëmundjeje.
▸Terapia varet nga tipi citohistopatologjik (lloji qelizor e indor i
kancerit), përfshirja e mushkërive, si dhe metastazimet (përhapja në
pëlhurë, mushkërinë tjetër, meskraharor-mediastinum apo organet
jashtë kraharorit).
(Llojet e terapive)
▸Kirurgjia, nëse është e mundshme, kishte me qenë zgjidhja më e
mirë dhe me prognozë më të mire. Në Klinikën Pulmologjike të QKUK-
së, është i evidentuar vetëm një pacient me mbijetesë prej më shumë
se 20 viteve, i cili është operuar nga karcinoma e mushkërisë së majtë
(lobektomia e sipërme-heqja e plotë e lobit të sipërm) dhe ende është
gjallë dhe në gjendje të aftësisë së mirë për punë.
►Preferencat e Pacientit
Tretmani tjetër është ▸polikimiterapia (kombinimi i disa barnave kimike të cilat i
mbysin qelizat malinje, por që nuk janë selektive, ashtu që i dëmtojnë edhe disa lloje
të qelizave të shëndosha. ▸Terapia rrezatuese, e njohur edhe si radioterapia, është
terapi që me ndihmën e rrezeve radioaktive i shkatërron në masë të madhe qelizat
malinje, por që njëkohësisht shkakton edhe fibrozë mushkërore që për pasojë ka
zvogëlimin e kapacitetit të frymëmarrjes.
Këto lloje të terapisë shpesh kombinohen ndërmjet veti ndonjëherë me efikasitet më të
madh apo më të vogël, varësisht nga shkalla e zhvillimit të sëmundjes, gjendja e
përgjithshme e pacientit, mosha dhe prezenca e ndonjë sëmundjeje tjetër (diabeti-
sëmundje e sheqerit, tuberkulozi, sëmundjet e zemrës, të veshkës apo mëlçisë).
Terapia suplementare (shtesë) aplikohet në tërë botën dhe ajo qëndron në dhënien e
barnave natyrale me prejardhje bimore (çajeve: i gjelbri posaçërisht, shurupit
Varumin, ekstraktit alkoolik të ehinaceas etj.), apo shtazore (qumështi i bletës-maja e
mjaltës, vezët e shkurtave japoneze, etj.).
▸Gjatë tërë kohës së menaxhimit të kancerit mushkëror duhet që pacienti
të mbështetet moralisht me ndihmë të psikoterapisë, e cila është më se e
domosdoshme edhe për qëllim të rritjes së efikasitetit së terapisë bazike si
dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës.
Fatkeqësisht, përvojat e gjertanishme kanë treguar se menaxhimi
terapeutik i kancerit mushkëror, më shumë ka efekt në zgjatjen dhe
përmirësimin e kualitetit të jetës, sesa në shërim të plotë të kësaj
sëmundjeje fatale.
Kështu, sot e kësaj dite në tërë botën insistohet në parandalimin e kësaj
sëmundjeje, duke filluar nga lufta kundër duhanpirjes, gjer te respektimi i
standardeve ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit nga ndotja, sepse kjo
është mënyra më efikase në zvogëlimin e numrit të kancerit mushkëror.
►Çështjet e pergjithshme (sociale,ekonomike,juridike dhe
administrative)
-Të gjithë i dinë pasojat e duhanit, të gjithë e dinë se ai të vret, të shkurton
jetën, por përsëri e konsumojnë. Së fundmi, as milionat e hedhura nëpër
reklama sensibilizuese nuk po bëjnë punë. Pirja e duhanit vijon të shkaktojë
shumë sëmundje me pasoja fatale për jetën si kancer, diabet, sëmundje
kardiovaskulare, probleme në mushkëri etj. Ndërkohë që ky i fundit
përmendet si shkaku kryesor i vdekjeve në Kosove e Shqipëri. Sipas
statistikave zyrtare, pirja e duhanit shkakton 80-90 për qind të rasteve të
këtij lloj kanceri. E dhëna tjetër që përforcon konkluzionin se duhani është
shkaku kryesor për kancerin e mushkërive është ajo e shprehur në raportin
më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilit rezulton
se nëntë në dhjetë të sëmurë me kancer të mushkërive janë duhanpirës.
Për të ulur rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri mund të luftohen faktorët
e lartpërmendur që shërbejnë si faktorë për shfaqjen e sëmundjes. Mënyra
më e mirë dhe më efektive është moskonsumimi i duhanit. Nëse jeni
duhanpirës dhe vendosni të ulni dozë ose më mirë ta lini, do të jeni më pak i
rrezikuar për të zhvillimin e kancerit të mushkërive. Gjithashtu, edhe
shmangia e qëndrimit të vazhdueshëm në një mjedis në të cilin konsumohet
duhan, bën që të ulet rreziku për këtë sëmundje. Është mirë që të shmangen
testet e panevojshme me rrezatim në kraharor.