1. Asgjë nuk është më e vlefshme se dita e sotme
Do të doja ta filloja këtë ese me një fragment nga “Letra e lamtumirës” e G.G. Markezit. Në
fakt kjo pjesë e shkruar prej këtij shkrimtari të madh, është e vërteta më e gjallë e temës së
lartpërmendur.
“Nëse për një çast Zoti do të harronte se unë jam një kukull lecke e do të më dhurojë paksa
jetë, ka gjasa se nuk do të them gjithçka që mendoj, por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do
ta them. Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë, por për kuptimin e tyre. Do të flija
pak, do të ëndërroja më shumë. E kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim sytë, humbim
gjashtëdhjetë sekonda dritë.”
Ne të gjithë jemi individë unikë dhe jo të gjithë kemi të njëjtat mendime dhe perceptime për
kohën dhe mënyrën se si ne e konceptojmë vlerën e saj. Mendoj se ajo që njerëzit bëjnë
gabimin më të madh në jetën e tyre, është se mendojnë që kanë Kohë. Por, a e kemi vërtet
këtë kohë? A e kuptojmë se sa është e çmuar cdo ditë e cdo moment? Jeta nuk është gjë
tjetër veçse një udhëtim me mësime, vështirësi, dhimbje zemre dhe momente të veçanta.
Jeta është vërtet një dhuratë shumë e çmuar. Çdo moment i jetës është një mundësi, për të
vepruar për të zhvilluar dhe shprehur virtytet tona.
Rrugë nuk ka, ato krijohen duke ecur. Çdo moment i përpjekjeve tona, na hap rrugën drejt
së ardhmes. Një person është i mençur vetëm kur ai/ajo, është i gatshëm të reagojë në cdo
moment, në mënyrën sa më të mirë të mundshme, jo vetëm për vete, por edhe për ata që e
rrethojnë. Në fund të fundit kjo do të na çojë në destinacionin tonë, në qëllimin tonë në
jetë. Rruga nuk do të jetë gjithmonë e shtruar; në fakt, gjatë gjithë udhëtimeve tona, do të
përballemi me shumë sfida. Këto sfida gjithmonë do të provojnë guximin, pikat e forta,
dobësitë dhe besimin tonë. Gjatë rrugës sonë, ne mund të hasim në pengesa, por që nuk
duhet të na lëkundin, duke na bërë të humbim vlerën e të sotmes. Jo më kot populli thotë
“Punën e sotme, mos e ler për nesër.” Për të qenë në rrugën e duhur, duhet t'i kapërcejmë
këto pengesa. Sekreti i jetës është ta jetosh cdo ditë sikur të jetë dita e fundit, edhe pse kjo
duket si klishe. Ne nuk duhet ta matim jetën tonë në bazë të zotërimeve materialiste, por
me vlerën e njerëzve, pa të cilët nuk mund të jetojmë.
Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat
siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja. E nesërmja nuk është e sigurt
për askënd, si i ri, si i vjetër.