1. Me gjithë paradokset dhe fanatizmat
që kanë shoqëruar e shoqërojnë ende
mentalitetin e shoqërisë tonë,
çuditërisht kemi përftuar ligjërimin e
një procesi jetësor, në kuptimin e
vërtetë të fjalës, i cili edhe pse shpesh
mund të paragjykohet si një ambicie
pa fre, mbetet gjithsesi një zgjidhje
oportune për shumë të tjerë. Nuk e
kemi fjalën për diskutimet e shumta
për miratimin ose jo të Ligjit për
martesat brenda të njëjtit seks, me
gjithë futurizmin që mund mbart ky i
fundit.
2. Qysh prej vitit 2003, kemi në fuqi një ligj “Për shëndetin
riprodhues”, që edhe pse shumë konciz, ka lënë hapësirën e
duhur për t’u dhënë mundësinë e pasjes së një fëmije me çdo
kusht, edhe atyre çifteve apo individëve që, të kushtëzuar nga
shkaqe objektive apo subjektive, nuk mund të kenë një fëmijë
në rrugë natyrale. Në funksion të kësaj, tashmë, prej më shumë
se 5 vjetësh, në disa prej klinikave tona, është e mundur të jesh
lumturisht një prind. E gjithë kjo ka një kosto, mbi të gjitha
financiare, por nëse je nga ata që ke arritur të shkosh përtej
paragjykimeve dhe të suportosh koston morale, me pak durim,
mund të realizosh ëndrrën e “të pasurit një fëmijë me çdo kosto,
me çdo kusht” dhe brenda 36 orëve të jesh një kandidat i denjë
për prind, pikërisht i asaj bebes që për mrekulli të kohës, e ka
zanafillën brenda një epruvete.
3. Specialistët pranojnë se niveli i infertilitetit, pra
mundësisë së kufizuar për pasjen e një fëmije, ndër
çiftet shqiptare arrin deri në 30 për qind. Ky është
një fakt i dhimbshëm, por po aq e dhimbshme është
edhe e vërteta se vetëm 5 për qind e këtij 30
përqindëshi pranojnë t’i nënshtrohen zgjidhjeve që
ofron sot teknologjia mjekësore në fushën e
obstetrikës dhe gjinekologjisë. Këto zgjidhje janë të
shumta, e shpesh u shpalosen çifteve që pas një
pritje të gjatë për të pasur një fëmijë në rrugë
natyrale iu drejtohen klinikave të specializuara në
këtë fushë për ndihmë. Tipologjia është e
shumëllojshme.
4. Për arsye gjenetike apo të fituara gjatë jetës, ai dhe/ose
ajo, nuk mund të konceptojnë një shtatzëni sipas një
procesi të natyrshëm. Shpesh problemin e ka prindi
mashkull, por nuk përjashtohen dhe shumë raste kur
organizmi femëror privohet nga një ngjizje e natyrshme,
për shkak të prodhimtarisë jo të lartë të vezores, apo
vendosjes jo të rregullt të vezëve në të. Në këtë pikë vjen
në ndihmë procesi i fertilizimit “in vitro”. “Kjo nënkupton
përgatitjen, fuqizimin e spermës në kushte laboratorike.
Po ashtu edhe përgatitjen e vezës së marrë nga trupi i
nënës së ardhshme, etapë kjo që në gjuhën mjekësore
quhet “pick up” dhe pas kësaj bashkimin e tyre për
krijimin e embrionit në kushte laboratorike. Pas 36-72
orësh embrioni është gati për t’u implantuar në trupin e
femrës”, shpjegon Dr. Liliana Koçi, mjeke obstetër-
gjinekologe në klinikën “Fleming”. Klinika që ajo drejton,
prej kohësh është vendosur në marrëdhënie
bashkëpunimi me filialin shqiptar të klinikës greke
“Iakentro”, një ndër më të njohurat në Europë lidhur me
procesin e fertilizimit in vitro.
5. I gjithë ky proces, përfshirë edhe të gjitha ekzaminimet e nevojshme, para
dhe gjatë shtatzënisë, kushton 3800 euro. “Të gjitha etapat që shoqërojnë
këtë proces ndiqen nga klinika jonë, nën kujdes të vazhdueshëm, që nga
ekzaminimet, analizat dhe ekografitë e nevojshme e deri tek stimulimet që
i duhen bërë trupit të nënës pritëse. Në klinikën “Iakentro”, realizohet
“pick –up”, pra marrja e vezës nga mitra e nënës dhe po ashtu përgatitja e
lëngut sematik, si dhe vendosja e tyre në kushte laboratorike. Pas kësaj
vjen momenti kryesor, ai i bashkimit të dy qelizave dhe krijimit të
embrionit.
6. I gjithë ky është një proces që ndiqet nga biologu dhe
specialisti gjinekolog grek”, shpjegon Dr. Koçi. Sipas
saj, përftimi i embrionit nuk është ende i mundur në
klinikën e saj, si edhe në shumë klinika të tjera që
bashkëpunojnë me “Iakentro”, për mungesë të
aparaturave të specializuara për ruajtjen e qelizave
dhe të embrionit, freeze-ra me azot të lëngshëm që
realizojnë ngrirjen e tyre. Ndërkaq, në maternitetet
tona shtetërore, për shkak të mungesës së
aparaturave të nevojshme në këtë proces, nuk
mundësohet fertilizimi in vitro apo ajo që ndryshe
quhet procesi “Fivet”.
7. E ndërsa flitet për mundësi të shuma të bekimit me një fëmijë,
duhet folur edhe për mundësitë ligjore që e mbështesin, e aprovojnë
ose jo këtë proces. Shqipëria ka tashmë 7 vjet që e ka pranuar,
mbrojtur nga Ligji për Shëndetin Riprodhues (edhe pse disi evaziv
për sa i takon pjesës së fertilizimit in vitro me dhurim) dhe pas
eksperimenteve të para, këto metoda ndihmëse kanë më shumë se 5
vjet që aplikohen dhe kanë rezultuar të suksesshme. Por, janë të
shuma vendet e Europës që ligjërisht nuk i lejojnë këto procedura.
Ndër më të afërtit me ne është Italia. Më shumë për arsye fetare
sesa për argumente të tjerë, në Itali ende sot, edhe pse pas shumë
polemikash diskutimesh në parlament, me diktatin e
padiskutueshëm të Vatikanit, nuk është arritur të ligjërohet
mundësia e pasjes së një fëmije përmes fertilizimit in vitro, qoftë atij
me dhurim, qoftë atij normalit, pra ngjizjes së një embrioni në
kushte laboratorike edhe kur veza dhe sperma janë të prindërve të
ardhshëm pritës. Në këto kushte italianët prej vitesh kanë
kapërcyer kufijtë e vendit të tyre në kërkim të një fëmije.
8. Ajo çka ligjërisht nuk është e mundur në vendin e tyre bëhet realitet
menjëherë sapo kalojnë kufijtë. Italianët vrapojnë në Spanjë, në Zvicër
në Amerikë, në Austri, në Ukrainë e jo vetëm. Sepse për ata që
mundësitë financiare i kanë më të reduktuara, është gjithmonë
Sllovenia, Greqia, Turqia dhe Shqipëria. Në diskutimet e fundit, ky
fenomen, zgjidhje dhe zgjedhje njëkohësisht, quhet “turizëm për
lindshmëri”. Një metaforë e hidhur, ndoshta, për mijëra çifte në
vështirësi. Burra dhe gra, çifte të “bekuara”, jo më në kërkim të
plazheve përrallore, as të një relaksi larg gjithkujt dhe gjithçkaje. Janë
udhëtimet e ankthit për kë ndjek, pak a shumë dëshpërueshëm,
dëshirën për të pasur një fëmijë me çdo kosto, me çdo kusht.