Me ekstradim të të pandehurve dhe të dënuarve kuptohet dorëzimi i personit
të pandehur ose të dënuar prej një vendi në vendin tjetër me qëllim që ndaj tij
të zhvillohet procedura penale, apo me qëllim që ndaj tij të ekzekutohet
dënimi i shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë.
Si formë kryesor e ndihmës juridiko-penale ndërkombëtare ekstradimi
mundëson luftimin e kriminalitetit në përmasat ndërkombëtare.
Për nga natyra e tij, ekstradimi është institucion i përzier, ngase ngërthen në
vete elemente të së drejtës penale, të procedurës penale dhe elemente
ndërkombëtare.
Ekstradimi i të pandehurve dhe të dënuarve kryesisht bëhet në bazë të
kontratës bilaterale apo multilaterale. Mirëpo, po që se midis shteteve nuk
ekziston kontrata ndërkombtare, atëherë ekstradimi bëhet përmes dispozitave
të së drejtës së brendshme të atyre shteteve.
Burimet e konsultuara dëshmojnë se shtetet kryesore të Evropës në shek. XIII kishin lidhur
traktate dypalëshe me të cilat kishin rregulluar çështjet e ekstradimit të fajtorëve midis tyre.
Mirëpo, gjatë asaj periudhe shumë mendimtarë kërkonin unifikimin e një konvente të vetme
evropiane, e cila do të zëvendësonte automatikisht të gjitha traktatet e veçanta.
Kështu, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, më 13 dhjetor 1957 përfundoi procedurat e
nënshkrimit të Konventës Evropiane mbi Ekstrdimin. Kjo konventë hyri në fuqi më 18 prill 1960.
Me Konventën e vitit 1957 krijohet një regjim politik unik sa i përket çështjeve që kanë të
bëjnë me ekstradimin midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian – shfuqizon traktatet
dypalëshe si dhe sjell deri te harmonizimi i legjislacioneve të brendshme në lidhje me
ekstradimin.
Në Kosovë, çështja e ekstradimit është e rregulluar me Ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në
çështjet penale 2011.
Ky ligj rregullon kushtet dhe procedurat për dhënien e ndihmës juridike ndërkombëtare në çështjet penale, në
qoftë se me marrëveshjen ndërkombëtare nuk është caktuar ndryshe apo nëse nuk ekziston marrëveshja
ndërkombëtare.
Në mungesë të një marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe shtetit të huaj ndihma juridike
ndërkombëtare mund të ofrohet mbi bazën e parimit të reciprocitetit.
Sipas të drejtës klasike, konventave, dhe ligjeve të brendshme procedura e ekstradimit
zhvillohet në dy etapa:
Etapa e parë e cila përfshinë aspektet e përgatitjes së kërkesës për ekstradim nga shteti
kërkues për shtetin e kërkuar dhe,
Etapa e dytë që përfshinë shqyrtimin e kërkesës për ekstradim nga ana e shtetit të kërkuar.
Kërkesa për ekstradim përgatitet në formë të shkruar dhe ajo dorëzohet në
rrugë diplomatike, nëpërmjet ministrisë së drejtësisë dhe të punëve të jashtme
të të dyja shteteve. Dokumentet duhet të përpilohen në gjuhën e vendit
kërkues, ose në atë të vendit të kërkuar.
Me rastin e ekstradimit shkaktohen edhe shpenzime të caktuara. Lidhur me
këtë çështje në numrin më të madh të kontratave ndërkombëtare, është
paraparë dispozita sipas së cilës secili shtet i kompenson shpenzimet që janë
shkaktuar në territorin e vet me rastin e ekstradimit.
Në kontratën për ekstradim duhet cekur se për cilat lloje të
veprave penale do të bëhet dorëzimi i fajtorit. Kjo bëhet në tri
mënyra:
1) Metoda e enumeracionit, me ç’rast ceken llojet e veprave
penale për të cilat do të bëhet ekstradimi;
2) Metoda eliminatore, me ç’rast ceken llojet e veprave penale
për të cilat nuk do të bëhet ekstradimi;
3) Metoda e klauzolës gjenerale, me ç’rast lloji i veprave penale
për të cilat do të bëhet ekstradimi, caktohet sipas llojit dhe
masës me të butë të dënimit.
Pengesat për ekstradim mund t’i referohen:
- kryesit të veprës penale;
- llojit të veprës penale;
- parimit territorial të veprimit të ligjit penal;dhe
- pengesave procedurale për zhvillimin e procedurës penale.
Shtetësia si pengesë për ekstradim
- Në legjislacionet nacionale të shteteve të Evropës dhe në një numër të madh të kontratave
ndërkombëtare si dhe në Konventën mbi ekstradimin (1957), është përvetësuar parimi i
përgjithshëm se shtetasi i vendit nuk ekstradohet.
- Parimin e mos ekstradimit të shtetasit të vendit e parasheh edhe legjislacioni ynë,
perkatësisht Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale (2011). Neni 4,
parag.2. “ Shtetasit e Kosovës nuk do të ekstradohen, përveç nëse është paraparë ndryshe
me marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe shtetit kërkues, ose me të drejtën
ndërkombëtare”.
Shkaqet humanitare si pengesë për ekstradim
-Si shkaqe të cilat paraqesin pengesë për ekstradim konsiderohen edhe mosha e shtyrë,
sëmundja, mosha e miturisë dhe statusi i refugjatit.
-Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale (2011) nuk i ka paraparë në
mënyrë shprehimore shkaqet humanitare, mirëpo, meqë këto shkaqe janë të parapara në
konventa ndërkombëtare, kjo nuk është pengesë që pikërisht edhe për shkaqe humanitare
organet kompetente të Kosovës të refuzojnë ekstradimin e personit në shtetin tjetër.
Parimi i inkriminimit të dyfishtë
- Vepra penale për të cilën kërkohet ekstradimi duhet të konsiderohet si vepër penale sipas
ligjit të shtetit ku gjendet fajtori dhe ligjit të shtetit që kërkon të bëhet ekstradimi.
- Për tu administruar prova lidhur me këtë, shteti që kërkon të ekstradohet personi i caktuar,
duhet që kërkesës t’ia bashkangjesë edhe ekstraktin nga ligji penal i tij, nga i cili shihet se
vepra në fjalë është paraparë si vepër penale.
- Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale (2011), Neni 7, “ Ekstradimi
do të lejohet vetëm për veprat penale të dënueshme sipas ligjit vendor dhe ligjit të shtetit
lutës”.
Veprat penale politike
-Që nga gjysma e dytë e shek. XIX, nën ndikimin e ideve të liberalizmit, zhvillohet dhe
formësohet botëkuptimi se kryesit e veprave penale politike nuk duhet të ekstradohen. Tani
mosdorëzimi i kryesve të veprave penale politike konsiderohet si parim themelor në të drejtën
ndërkombëtare dhe në të drejtën e brendshme të shteteve.
- Sipas Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale (2011), Neni 12,
parag. 1, “Ekstradimi nuk do të lejohet nëse vepra penale për të cilën është paraqitur lutja
është vepër penale politike ose vepër që është e ndërlidhur me vepër penale politike”.
2. Për qëllim të këtij ligji, vepra penale politike nuk përfshin:
2.1. Privimin nga jeta apo tentativa për privim nga jeta e Kryetarit të shtetit, ose një anëtari të
familjes së tij/saj;
2.2. vrasja;
2.3. shkaktimi i lëndimit të rëndë trupor;
2.4. rrëmbimi, dhunimi, marrja e pengjeve, shantazhi ose detyrimi;
2.5. shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm;
2.6. tentativa për veprat penale nga nënparagrafët 2.1- 2.5 të këtij paragrafi, dhe
2.7. bashkëpunimi për t’u përfshirë në shtrëngim, shtytje, apo ndihmë personit tjetër lidhur me
ndonjë nga veprat penale nga nën-paragrafët 2.1 –2.5të këtij paragrafi.
3. Paragrafi një (1) i këtij neni nuk do të zbatohet për veprat penale te gjenocidit, krimet
kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe terrorizmit.
Veprat penale ushtarake
- Veprat penale ushtarake janë vepra me të cilat cënohet rregullimi i përcaktuar i shërbimit
ushtarak, obligimet e posaçme të personave ushtarakë dhe në përgjithësi obligimet ndaj
mbrojtjes. (Dezertimi, moskryrja apo refuzimi i ekzekutimit të urdhrit të eprorit, refuzimi i
pranimit dhe i përdorimit të armëve etj.)
- Sipas Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale (2011), Neni 13 thuhet
se:
“Ekstradimi nuk lejohet për veprën penale e cila hyn në kuadër të veprave penale ushtarake,
dhe e cila nuk paraqet vepër penale edhe sipas ligjit penal”.
Sipas parimit territorial, legjislacioni penal i një shteti aplikohet ndaj të gjithë personave që kryejnë vepra penale në
territorin e tij, pa marrë parasysh a janë shtetas të tij, shtetas të huaj apo persona pa shtetësi.
Edhe legjislacioni penal i Kosovës e përvetëson parimin territorial dhe si të tillë e konsideron pengesë për ekstradim.
Sipas Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale (2011), Neni 6, parag. 1 dhe 2 thuhet:
“Ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës dhe mund të
mos lejohet për vepra penale të kryera pjesërisht në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Nëse vepra penale është kryer kundër një shtetasi të Kosovës jashtë territorit të Kosovës, ekstradimi lejohet me kusht
që autoritet gjyqësore vendore nuk i fillojnë ose i përfundojnë procedurat penale në lidhje me të njëjtën vepër
penale”.
Ekzistimi i aktgjykimit të plotfuqishëm
Në procedurë penale është përvetësuar parimi ne bis in idem, andaj rrjedhimisht:
Ekstradimi nuk lejohet në rast se, organet kompetente në Kosovë apo në një shtet të tretë kanë shpallur
aktgjykim të formës së prerë kundër kryerësit të veprës apo veprave penale për të cilat është kërkuar
ekstradimi. Lutja për ekstradim mund të refuzohet nëse autoritetet gjyqësore vendore kanë vendosë ose të
mos fillojnë apo të përfundojnë procedurat në lidhje me të njëjta vepra penale.
Parashkrimi
- Ekstradimi i personit të kërkuar nuk lejohet kur sipas legjislacionit vendor dhe të shtetit
kërkues është bërë parashkrimi i ndjekjes penale ose ekzekutimit të dënimit.
Dënimi me vdekje
- Ekstradimi nuk lejohet për vepër penale të dënueshme me dënim me vdekje sipas ligjit të
shtetit lutës, përveç nëse shteti lutës jep garanci të mjaftueshme se dënimi me vdekje nuk do
te zbatohet apo ekzekutohet.
Tortura, trajtimi çnjerëzor, degradues ose keqtrajtimi
- Ekstradimi nuk lejohet nëse ka dyshim të bazuar se personi i ekstraduar do të trajtohet ose
ndëshkohet në mënyrë çnjerëzore ose degraduese.
- Ekstradimi nuk lejohet nëse ka dyshim të bazuar se lutja për ekstradim është bërë me
qëllim të ndjekjes ose ndëshkimit të personit për shkak të racës, fesë, gjinisë, shtetësisë,
bindjes politike, përkatësisë etnike ose anëtarësisë në ndonjë grup shoqëror ose që
pozita e personit në shoqëri mund të paragjykohet për një nga këto arsye.
- Ekstradimi nuk do të lejohet nëse personi nuk do të pranojë garancinë minimale për një
gjykim të drejtë nga shteti lutës.
- Ekstradimi i kërkuar me qëllim të ekzekutimit të dënimit refuzohet, nëse Aktgjykimi është shqiptuar në
mungesë, nëse personi i dënuar nuk është njoftuar me kohë për gjykimin apo për mundësinë për të
angazhuar mbrojtës dhe nëse i njëjti nuk ka pasur apo nuk do të ketë mundësinë për rigjykim, përveç
nëse shteti lutës ofron garanci,i cili konsiderohet i mjaftueshëm, se do ti garantoj atij personi të drejtën në
ri-gjykim duke i mundësuar të drejtën në mbrojtje, apo përveç nëse personi edhe pse është njoftuar me
kohë dhe ka pasur mundësinë të paraqitet dhe të angazhoj mbrojtës, ka vendosur të mos veprojë.
- Ekstradimi nuk lejohet nëse ka dyshime se personi mund të gjykohet ose dënohet në shtetin lutës nga
një Gjykatë e jashtëzakonshme ose e përkohshme, përveç nëse autoritetet kompetente të shtetit lutës
garantojnë se gjykimi do të bëhet nga gjykata e rregullt në pajtim me ligjin.
- Ekstradimi nuk lejohet për çfarëdo arsye të bazuar që është në kundërshtim me të drejtën
ndërkombëtare ose me standardet ndërkombëtare te të drejtave të njeriut.
Historikisht e drejta e azilit është institucion më i vjetër se ekstradimi. Këtë e ka njohur e drejta hebraike,
ajo greke, romake, e drejta e mesjetës etj.
Në kuptimin e tanishëm, e drejta e azilit është paraqitur në mesin e shek. XIX me qëllim që të
mbroheshin kryesit e veprave penale politike, që në pikën e fundit kishin karakter progresiv.
Termi “azil” rrjedh prej fjalës latine “asylum”, që do të thotë “strehim”. Në të drejtën penale me azil
nënkuptojmë strehimin e shtetasve të huaj apo personave pa shtetësi në shtetin e caktuar, që ndiqen
për shkak të aktiviteteve të tyre të cilat, për interesin e gjithëmbarshëm të njerëzimit nuk konsiderohen
vepra të dëmshme, por përkundrazi, konsiderohen vepra të dobishme dhe progresive.
Në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, parashihet se çdo person ka të drejtë të
kërkojë azil në shtetin tjetër nëse është i ndjekur nga shteti, shtetësinë e të cilit e ka. Mirëpo,
të drejtën e azilit nuk mund ta gëzojë personi që ka kryer krime kundër të drejtës
ndërkombëtare ose nëse ka kryer vepra që janë në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e
veprimtarisë së Kombeve të Bashkuara.